Ndeshja me Dinamon ka marrë rëndësi të madhe për Teutën, që kërkon të lërë pas krahëve humbjen me Vllazninë.
Trajneri Martini dhe të tijtë po punojnë të përqendruar për të bërë autokritikë të dielën në mbrëmje, kur do të përballen me Dinamon.
Pretendimet në kampin durrsak janë që të dalin sa më shpejt nga zonë e ftohtë dhe për të mos pasur oshilacione. Dinamo është një skuadër që u sjell fat “Djemve të detit” dhe ky mund të jetë një ogur i mirë edhe për këtë radhë. Duhet pranuar se humbja me Vllazninë “djeg”, pasi Teuta i pati mundësitë për të marrë maksimumin.
Pikët e lëna në stadiumin “Niko Dovana” kanë ndikimin e vet dhe skuadrës së trajnerit Martinit nuk i falet të gabojë sërish. Kundërshtari vjen nga një moment i mirë dhe ka marrë gjithë vlerësimin, por Teuta nuk ka rrugë tjetër veç rezultatit pozitiv. Deri të dielën durrsakët kanë në dispozicion gjithë kohën e nevojshme për tra përgatitur sfidën me Dinamon në mënyrën më të mirë. Motivimi është në shkallën e duhur për të bërë kthesën në javën e 6-të të kampionatit.
ARIFI – Një mungesë e rëndësishme për Teutën në ndeshjen e radhës është ajo e Ergis Arifit, i cili doli i dëmtuar ndaj Vllaznisë. Pas ekzaminimeve që ka kryer futbollisti është mësuar se atij i duhet të qëndrojë 10-12 ditë larg fushave, kështu që nuk do të jetë i gatshëm për të dielën.
Mbetet për t’u parë gjendja e mesfushorit Theodori Mingos, i ardhur në fundin e merkatos në skuadër, por që ka pësuar një dëmtim dhe ende nuk ka mundur të luajë me fanellën e durrsakëve. Megjithatë, trajneri Martini ka alternativa dhe objektivi i vetëm për ndeshjen e kësaj fundjave është fitorja.