Shtatori është pika më e fundit ku lidhet fati i Kenan Jildiz dhe Alesandro Del Pieros. Më 13 shtator, pikërisht 29 vite më parë, Del Piero debuton me gol në Champion, ku i shënon Dortmundit dhe bëhet lojtari më i ri që realizon për Juventusin në kompeticionin më të rëndësishëm për klube.
29 vite më vonë, më 17 shtator, Jildiz e thyen këtë rekord, pikërisht me një gol “alla” Del Piero.
Kjo vjen pasi talenti turk vesh mbi shpinë numrin 10, atë të legjendës bardhezi dhe bën tifozët të ëndërrojnë për Del Pieron e ri në kampin bardhezi. “Mrekulli”, kështu e përshkroi edhe Del Piero pas ndeshjes golin perfekt të Jildiz kundër PSV-së, por këtë herë të drejtat e autorit i kalojnë talentit turk.
“Një gol ‘alla’ Jilldiz” shprehet legjenda që i jep një sinjal më shumë tifozëve për të ëndërruar se këtë herë numri 10 ka rënë në dorën e duhur. Në fund të fundit kjo është edhe ajo çfarë po ëndërrojnë tifozët për të ardhmen e 19-vjeçarit Jildiz.
SPEKTAKËL- Kur prek topin, klasi dhe finesa duken lehtësisht se janë një virtyt për talentin turk. Goli kundër PSV-së e tregon qartë. Ndalesë elegante e topit, lëvizje plot klas dhe mbi të gjitha goditja perfekte për të çuar sferën në trekëndëshin e portës.
Rekordi si lojtari më i ri që shënon në Champions për Juventusin është vetëm një statistikë që vlen vetëm për të rritur më shumë moralin e lojtarit dhe besimin në tribuna. Tifozët ëndërrojnë gjëra shumë më të mëdha dhe nëse shikon Jilldiz e kupton lehtësisht se nuk është një lojtar i rëndomtë për futbollin. Megjithatë, te Juvja këtë moment kanë 9 muaj që e presin, kur kundër Frosinones Jilldiz tregon magjinë e këmbëve të tij dhe i prezanton gjithë botës atë çfarë mund të bëjë.
Një mbrëmje si ajo ndaj PSV-së është thjesht një tjetër tregues se talenti turk është i predispozuar të jetë Del Piero i ri për Juventusin. Klasi, talenti, eleganca dhe çdo parametër tjetër për t’u bërë ikonë te Juvja ndodhet te Jildiz dhe vetëm një çmenduri mund t’ia largojë. Hapat e parë janë tregues se 19-vjeçari është në rrugën e duhur. Del Piero i dha bekimin e tij, gjithashtu numrin 10, tashmë tifozët po ëndërrojnë.