“Kapiteni i Arsenalit, Martin Odegard, do të jetë jashtë për një kohë të gjatë pasi ka pësuar një dëmtim të konsiderueshëm të ligamentit”, tha menaxheri Mikel Arteta.
Një Odegard i shqetësuar kishte nevojë për ndihmë për t’u larguar nga fusha dhe duhej të zëvendësohej pasi përdrodhi kaviljen gjatë pjesës së dytë në fitoren e Ligës së Kombeve të Norvegjisë kundër Austrisë në Oslo në fillim të këtij muaji. 25- vjeçari humbi fitoren e Arsenalit në derbin e Londrës Veriore kundër Totenhemit dhe tani pritet të qëndrojë jashtë fushe për një periudhë të papërcaktuar.
Duke folur përpara ndeshjes hapëse të Ligës së Kampioneve të enjten me Atalantën, Arteta tha në konferencën për shtyp: “Pas skanerëve të fundit, ato treguan se ai ka pasur disa dëmtime veçanërisht në një nga ligamentet në kavilje.
Është diçka shumë e rëndësishme, kështu që ne do ta humbasim atë për një kohë”.
Por Arsenali do të përforcohet në transfertën e sotme në Itali nga rikthimi i Deklan Rajsit në mesfushë, pas shlyerjes së pezullimit në kampionat të dielën, por ata mbeten pa Mikel Merinon. Tekniku spanjoll e vlerësoi skuadrën e Gjimshitit me superlativa në konferencë:
“Klubi i tyre ka një histori të shkëlqyer dhe ajo që Gasperini ka bërë është e mrekullueshme. Unë kam një admirim të madh për atë që ai ka bërë në karrierë, jo vetëm për Atalantën, por edhe për klubet e tjera. Ai është një figurë shumë e rëndësishme dhe ajo që ata arritën sezonin e shkuar është e pabesueshme dhe ne do të shohim sesi do të shkojë nesër (sot)”.
Bergamaskët e nisën sezonin e tyre me një humbje 2-0 ndaj Realit të Madridit në finalen e Superkupës së Europës, e pasuar nga një fitore 4-0 ndaj Leçes në javën e parë të Serisë A. Pas këtij momenti italianët pësuan dy humbje radhazi në kampionat, ndaj Torinos dhe Interit, ndërsa në javën e fundit u përgjigjën me një fitore 3-2 ndaj Fiorentinës. Ky nuk është momenti më i mirë për ta për t’u përballur me Arsenalin, i cili është sigurisht favorit në këtë ndeshje të parë të Ligës së Kampioneve.