Amaneti i fundit i Erikson nuk përmbushet

Futboll

Amaneti i fundit i Erikson nuk përmbushet

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 13:46
Sven-Goran Eriksson

Sven-Goran Eriksson kishte shprehur një dëshirë të fundit, që t’i plotësohej pas vdekjes së tij, e cila ndodhi në moshën 76-vjeçare, më 26 gusht 2024, për shkak të kancerit në pankreas që e kishte prekur. Ish-trajneri i Romës, Fiorentinës, Sampdorias dhe Lazios në Itali (me bardhekaltrit fitoi titullin në vitin 2000) kishte kërkuar që hiri i tij të shpërndahej në liqenin Fryken, aq i dashur për të në Suedi.

Ky liqen ndodhet pranë vendlindjes së tij Sunne dhe vendit tjetër ku u rrit, Torsby, në qarkun e Varmland. Dy qytete të vogla të rrethuara nga natyra, ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe ku të gjithë e kanë ndjekur nga larg karrierën e mrekullueshme futbollistike të “Svennis”.

Aty u bë varrimi i Erikson dhe aty, në ujërat e ftohta e të kristalta të atij liqeni, ishte dëshira e fundit e ish-trajnerit të njohur të hidhej hiri i tij. Në vend të kësaj, leja për këtë u refuzua nga autoritetet, siç njoftoi agjenti i ish-trajnerit, Bo Gustavsson: “Nuk na lejuan ta shpërndanim hirin e tij në liqenin Fryken”.

Eriksson ishte një qytetar i botës, suedezi stërviti kudo: në Itali, Angli (ku ishte edhe trajner i kombëtares së ‘Tre Luanëve’), në Meksikë, nga Bregu i Fildishtë në Tajlandë, nga Kina në Filipine. Sidoqoftë, ai kishte ruajtur gjithmonë një lidhje shumë të fortë me rrënjët e tij. Po kështu ishte shprehur qartë për dëshirën e tij, pasi të vdiste: të qëndronte dhe të “flinte” përgjithmonë në atë cep të parajsës, që për të ishte liqeni Fryken.

“Është një vend i mrekullueshëm, që të qetëson, – tha ai në një dokumentar. – Babai im u rrit nën mal. Nëse shikon drejt përpara është Torsby, ku u rrita, në drejtim të kundërt është Sunne, ku kam lindur. Gjithmonë ishte një vend i mirë për të fjetur aty, ndaj dua që hiri im pas vdekjes të mund të hidhet në ujërat e liqenit”.

Një dëshirë e cila, megjithatë, u ndesh me refuzimin e prerë të autoriteteve lokale, të cilat e ndaluan familjen e Erikssonit të shpërndante hirin e tij në liqenin që e donte aq shumë. Urna që përmban hirin e tij do të varroset në një vend të fshehtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat