Gruaja, vëllai dhe djali i Toto Schillaci kujtojnë momentet e fundit prekëse

Futboll

Gruaja, vëllai dhe djali i Toto Schillaci kujtojnë momentet e fundit prekëse

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 14:21
Vajzë e grua e Schillacit

Funerali i Totò Schillaci në Palermo ka parë një vërshim të vërtetë njerëzish, që donin t’i jepnin atij lamtumirën e fundit. Një gjest i thjeshtë dashurie dhe falënderimi për ish-sulmuesin e shquar italian. Një nderim i detyrueshëm, që nuk e habiti familjen, e vetëdijshme se sa shumë ishte ende i dashur mes njerëzve, që nuk e kishin harruar kurrë ndër vite.

Gruaja e tij Barbara Lombardo dhe djali Mattia donin ta nënvizonin këtë: “Ai e meriton gjithë këtë respekt, jemi të prekur nga dashuria e madhe e njerëzve në këto ditë shumë të hidhura për ne si familje”.

Lumturi për të parë kaq shumë njerëz duke bërë homazhe për Totò, por edhe trishtim e dhimbje e thellë për një vdekje të parakohshme, të padrejtë, të pamëshirshme. Schillaci ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, i sfilitur nga një sëmundje e pashërueshme, kundër së cilës luftoi deri në fund.

“Ai luftoi aq shumë, sa zemra nuk donte t’i pushonte, sepse e dinte që ne ishim atje”, – tha gruaja e tij Barbara në lot, duke rikthyer ditët e fundit të Toto, siç tregoi edhe vëllai i tij, Giovanni: “Dashuria e tij ishte e madhe, nuk donte të na linte. Është një dhimbje e madhe për ne…, por jemi vërtet të lumtur për këtë dashuri që po tregon Italia dhe Palermo. Një dashuri dhe respekt që ai e meritonte plotësisht”.

Pjesëmarrja e njerëzve në lamtumirën e tij të fundit për Barbara nuk ishte befasi: “Ne e prisnim sinqerisht gjithë këtë pjesëmarrje për Totò. Njerëzit na ndalonin shpesh në rrugët e qytetit, nuk e kishin harruar. Gjithmonë e kemi ndjerë afeksionin, e kemi parë edhe në spital nga stafi mjekësor. Ata dhanë gjithçka nga pikëpamja profesionale, por dhanë edhe shumë dashuri, aq sa edhe sot janë këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit Toto-s”.

Vëllai i Schillaci rrëfen dëshirën e fundit të Toto-s: “Ai thjesht donte të jetonte”. Mattia, i lindur në qershor 1990, pikërisht kur babai i tij Toto bëri të ëndërronte e tërë Italia, përballet me boshllëkun e madh të ikjes së të atit, kundër të cilës do të duhet të luftojë që këtu e tutje: “Është një humbje e pashlyeshme, që ka shënuar dhe do të shënojë gjithë jetën tonë.

Jemi të kënaqur që njerëzit vijnë këtu për të na ngushëlluar dhe për të kujtuar babanë e ndjerë. Ai ka qenë shoku më i mirë për mua, kemi shumë kujtime bashkë. Që kur isha i vogël, kur luanim futboll së bashku, më ka mësuar si ta përballoj jetën. Ai më mësoi të luftoj gjithmonë, t’ia dal gjithçkaje me forcën dhe vullnetin tim. Më mësoi si të rritem e t’i kapërcej pengesat vetë, siç ka bërë ai në fakt gjithmonë”.

Mattia kujtoi gjithashtu “Netët Magjike” të Botërorit “Italia 1990”, të cilat nuk ishte në gjendje t’i përjetonte personalisht, sepse sapo kishte lindur, por që Toto arriti t’ua transmetonte duke i ndarë ato momente: “Më tregoi gjithçka për netët magjike, një periudhë shumë e bukur.

Kam parë shumë video, shumë njerëz që flasin për të… Besoj se në nivel sportiv dhe jo vetëm ishte një nga momentet më të mira si për babin, ashtu edhe për të gjithë Italinë. Ne i shihnim shpesh ato video bashkë, e dëgjonim këngën në sfond”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat