Prapaskenat me De Rossin

Futboll

Prapaskenat me De Rossin

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 14:27
Daniele De Rossi

Daniele De Rossi nuk është më trajner i Romës. Kanë kaluar dy ditë nga njoftimi për shtyp, i cili zyrtarisht shënoi fundin e aventurës së ish-mesfushorit në pankinën e klubit verdhekuq. Një vendim i papritur, i cili mbërriti te De Rossi gojarisht nga CEO, Lina Souloukou, teksa trajneri ndodhej në “Trigoria” duke u përgatitur për stërvitje.

Një kthesë e papritur, që solli Ivan Juric në pankinën verdhekuqe, me trajnerin kroat të paralajmëruar se çfarë fati e pret pa rezultatet e duhura, mjafton të shikojë si përfunduan Mourinho dhe De Rossi, dy më të fundit në drejtimin e Romës.

Njoftimi i lamtumirës së De Rossit la pashmangshmërisht disa pasoja, siç dëshmohet prej protestave mospajtuese nga tifozët, të cilët shprehën zhgënjimin e tyre për vendimin, duke mbështetur plotësisht ish-mesfushorin.

Vendimi që iu komunikua nga Lina Souloukou tronditi edhe vetë De Rossin, i cili kishte shqiptuar një fjali, që askush në “Trigoria” nuk do të kishte dashur ta dëgjonte. Siç raporton “Corriere dello Sport”, ish-mesfushori kishte thënë: “Pas kësaj here nuk do të kthehem më kurrë te Roma…” Një fjali e shqiptuar me një “gungë në fyt”, ndërsa zbrazi dollapin dhe foli me punonjësit e klubit të pranishëm.

ARSYET E LAMTUMIRËS – Pas rinovimit të nënshkruar qershorin e kaluar dhe fjalëve për një projekt afatgjatë, De Rossi priste një konsideratë ndryshe nga klubi, si për punën e kryer, ashtu edhe nga investimi i bërë në merkato.

“Nuk mund të ishim më të lumtur se të ndërtonim një projekt afatgjatë me Daniele”, – thuhej në shënimin zyrtar të rinovimit në qershor, i cili megjithatë nuk u ndoq nga faktet.

Marrëdhëniet e tensionuara me drejtorin sportiv Ghisolfi dhe prurjet e munguara të En-Nesyri, Bade dhe Tiago Djalo u pasuan me tension në dhomat e zhveshjes, me episodin e përplasjes me Cristante.

Faktorë që, shtuar vetëm 3 pikët e grumbulluara në 4 ndeshjet e para të kampionatit, çuan në kthesën e papritur dhe vendimin për ta shkarkuar De Rossin, si dhe për të ndryshuar kursin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat