Fahredin Duraku e sqaron si ka shkuar në Rad të Beogradit dhe a ka deklaruar që nuk është shqiptar

Futboll

Fahredin Duraku e sqaron si ka shkuar në Rad të Beogradit dhe a ka deklaruar që nuk është shqiptar

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 19 shtator 2024 Në ora: 15:58
Fahredin Duraku

Ish futbollisti Fahredin Duraku ka sqaruar rastin e tij pse ka mbetur në Rad të Beogradit deri në vitin 1992 përderisa shokët e tij shqiptarë i ndanë rrugët me ish ligën jugosllave dhe me serbët dhe zhvilluan aktivitetet në fusha të improvizuara e livadhe, Dumnicë, Llukar, Varosh, Sadovinë, Malishevë Gjilanit Zllakuçan, Raushiq, Kçiq, Novosellë Gjakovës, Dushanovë etj.    

Duraku ka treguar se a ka deklaruar se nuk është shqiptar dhe është turk, dhe cilës përkatësi i takon.

 “Unë pas rënies së Prishtinës nga Liga e Parë e ish Jugosllavisë, kontrata më ka lejuar me automatizëm më pas të drejtën mu largu dhe me një shumë dëmshpërblimi, si një reprezentues olimpik i Jugosllavisë, për mos me stagnuar në Prishtinë.

Na ka ardhur ftesa nga shërbimi ushtarak ish jugosllav në vitin 1988, ku kemi qenë  unë edhe Kujtim Shala në Beograd, kemi qenë të privilegjuar si lojtar profesionistë. Nuk kemi pas asnjë obligim në shërbimin ushtarak sepse ishim si reprezentues dhe së bashku me Shalën nga dy herë ditë kemi stërvitur në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Aty ishin në stërvitje edhe Bobani, Pançevi, Saviçeviqi, Asanoviqi etj”, tregon Duraku për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Ai ka sqaruar se cila ka qenë arsyeja që ka vazhduar kontratën me Radin deri në vitin 1993. 

“Më ka ardhur oferta nga Jozip Kuzhe, kemi marrë pjesë edhe në Kupën “Marshall Titos” dhe kemi luajtur kundër Partizanit.

Kam pas me shku Dinamo të Zagrebit pas shërbimit ushtarak. Muajin e nëntë të vitit 1988 e kam kryer shërbimin ushtarak. Ka qenë e qartë se do të shkoj të Dinamo e Zagrebit. Kuzhen e kam pas selektor U-21 dhe me ka njohur shumë mirë e më ka kërku, duke me thënë: ‘Fahredin, ti më duhesh mu’.

Para meje ka nënshkruar Kujtim Shala. Për mu u prish puna, Bobanin e kam pas kapiten te U-21. Kuzhe më kërkoj falje, në anën tende nuk ka qenë Bobani, kapiteni. Sepse ishin dy lojtarë në pozitën time, Komlenoviq i Rijekës dhe vëllai i Bobanit. Kuzhe me tha: “Kam nevojë për ty”.

Pas dështimit me Dinamon, Sela Jovanoviq, kryetar i Radit në atëkohë garonin në Kupën UEFA, ku ishin edhe Jugoviq, Drulloviq, gjenerata më e mirë që kemi luajtur, duke më thënë se me më vyen për kupën e UEFA-s. Ishte viti 1989 dhe në vitin 1992 do të transferohesha në Partizan të Beogradit, kjo ishte marrëveshje, ku pas vitit 1993 së bashku me Jokanoviqin dhe Mijatoviqin do të shkonim në Valencia por në vend timin ka shku Vlladisllav Gjukiq (ish - lojtar i Prishtinës) në La Corunja, Jugoviq në Sampdoria.

Trajneri Lupko Petroviq tha se do të me merr në Fenerbahcedhe shkova në Turqi. Unë kisha kontratë katërvjeçare me Radin deri në  maj 1993”, thotë Duraku.

Ish futbollisti thotë se askush nuk e ka ftuar në Kosovë në vitin 1993. 

“Në vitin 1993 veç e kisha leshu Beogradin për shkak se asaj situate të atyre viteve, askush nga Kosova nuk më ka ftuar dhe me më thënë e kemi leshu ne, eja edhe ti, unë kam qenë i gatshëm.

Në vend që të shkoi në Spanjë kam shku në Turqi. I kam humbur 2 milionë marka. U prish situata dhe jam viktimë politike, ku mua askush nga kryetari i FFK-së së asaj kohe e as sekretari i përgjithshëm, nuk më kanë ftuar.  

Në vitin 1992 jam largu nga Beogradi! Nëse unë e kisha refuzu të kthehem e të luaj në Kosovë, kanë pas arsye me kritiku sot. E meritojnë respektin si Ajet Shosholli etj. kanë luajtur nëpër ara.

Me qenë unë ministri sot i kisha bërë me pensione për sakrificën që kanë bërë. 

Mos më paragjykoni, jam i pastër si loti, e kam kryer shkollën në Mitrovicë.

Jam pa punë qe një vjet. A më ka pyet ndonjëherë Ajet Shosholli apo Agim Ademi, si i ke punët financiare e si po jeton. Personalisht nuk kam asgjë kundër Agim Ademit por ndaj rezultateve. Nuk kam nevojë financiare se jam shumë i fortë por du me kontribu dhe me ndihmu futbollin e Kosovës”, ka nënvizuar Duraku.

Ju në fillim të viteve të 90-ta, keni deklaruar se nuk jeni shqiptar por turk, kështu ka qenë deklarata e juaj në mediat serbe. Pse e keni thënë këtë ju si Fahredin Duraku? 

“Këto janë paragjykime, jam shqiptar dhe jam shqiptar, jam me kulturë qytetare.

Si të deklarohem unë që jam turk kur unë e kam kryer shkollën në gjuhën shqipe. Nuk e di si ka ndodhur dhe kush e ka shkruar në emër tim e pa dijen time atë deklaratë se kinse unë jam turk e jo shqiptar.

Kurrë nuk kam deklaruar se nuk jam shqiptar e jam turk.

Gëzohem që kam shumë armiq, se po vlej diçka, kur kam kualitet kam shumë armiq”, ka përfunduar Duraku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat