Mesfushori Marinaj, 17-vjeçari që debutoi me fitore te Vora

Futboll

Mesfushori Marinaj, 17-vjeçari që debutoi me fitore te Vora

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 16:18
Marinaj

Vora u rikthye te fitorja të hënën, pasi mundi 2-1 Valbonën në shtëpi. Të martën skuadra u la pushim, ndërkohë nga dje ka nisur puna për të përgatitur takimin e radhës, ku në fundjavë do të luajë në Peshkopi kundër Korabit.

Pak orë përpara ndeshjes me Valbonën, stafi drejtues i klubit prezantoi dhe afrimin më të fundit të merkatos, Patrik Bardhi, ish-sulmuesi i Dinamos, që u la i lirë nga kjo skuadër që më 1 korrik.

Ky futbollist ka luajtur edhe me Tiranën dhe Kastriotin. 26-vjeçari ka firmosur tashmë për Vorën dhe menjëherë u bë pjesë e protokollit të sfidës me tropojanët.

Ajo që ra më shumë në sy gjatë ndeshjes kundër Valbonës, ishte debutimi me mjaft sukses i 17-vjeçarit kryeqytetas, Rejmond Marinaj, që erdhi në klubin “Vora” nga grupmoshat e Tiranës. Për “Panorama Sport” mesfushori pohoi se ishte i lumtur, pasi përveç  debutimit me një klub të rriturish, rezultoi edhe pozitivisht duke e fituar takimin.

Pas ndeshjes, 17-vjeçari Marinaj për gazetën u shpreh: “Ishte kënaqësi e paharrueshme për mua, që arrita të aktivizohesha me një ekip të rriturish dhe debutova me këmbën e mbarë, pasi fituam ndaj Valbonës. Vora është një skuadër që ka pretendime për t’u ngjitur në Superiore, e kjo më nxit edhe më shumë për të punuar. Dëshiroj të jap shumë nga vetja, jo vetëm për të bërë mirë për ekipin, por edhe për të ecur në karrierë. Të shtunën kemi ndeshjen në Peshkopi dhe ne do të udhëtojmë vetëm për fitore”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat