Derbi i parë i sezonit është edhe më i paparashikueshmi, veçanërisht në këtë rast. Dy skuadrat, por më së shumti Tirana, kanë pësuar ndryshime të mëdha në përbërjen e tyre dhe në fushë nesër do të jenë shumë lojtarë, që nuk e kanë luajtur ndonjëherë derbin.
Por le ta dimensionojmë këtë derbi sipas financave. Në fushën e “Air Albania”-s do të zbresin thuajse 10 milionë euro, saktësisht 9.8. Skuadra më me vlerë e derbit është Partizani me 5.4 milionë euro, shifër që e mban edhe në krye të Superiores si ekipi më i shtrenjtë. Tirana vlen 1 milion më pak se rivalët më të mëdhenj të qytetit.
FORMACIONI – Nëse do të ndërtonim 11-shen hipotetike të lojtarëve më të vlefshëm të derbit të nesërm, sërish dominon Partizani. Këta të fundit kanë plot 7 lojtarë në rreshtimin 4-3-3, kundrejt vetëm katër të Tiranës, e cila më së shumti është përqendruar në afrimin e lojtarëve, që kanë luajtur jashtë dhe ende nuk e kanë krijuar emrin e tyre në futbollin tonë. Të kuqtë kanë në përbërje edhe futbollistin më të shtrenjtë të Superiores, Arinaldo Rrapajn. Më të shtrenjtët e Tiranës janë Përgjoni, Abah dhe Isuf. Vlera totale e 11-shes shkon 3.675 milionë euro.
PËRBËRJA – Duelin e portës mes Selmanit dhe Qirkos e fiton ky i fundit, teksa pjesa tjetër e mbrojtjes ndahet njësoj. Hadroj dhe Sembene përfaqësojnë Partizanin, teksa këtë repart e plotësojnë Dembele dhe Përgjoni të Tiranës.
Në mesfushë Rrapaj dhe Mehmeti vendosen së bashku me Jonuzin, në një treshe që do ta dëshironte e gjithë Kategoria Superiore. Edhe në sulm Partizani është në maxhorancë, pasi përfaqësohet nga Cara dhe Bintsuka. Te Tirana sulmuesi më i shtrenjtë radhitet Abah, një nga afrimet e verës.
Vetëm dy nga lojtarët e kësaj 11-sheje nuk e kanë provuar ende të luajnë në një ndeshje si derbi. Bëhet fjalë pikërisht për Abah dhe Dembele, që i janë bashkuar Tiranës vetëm në merkaton e verës dhe nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e futbollit shqiptar.
Për tu theksuar se për herë të parë derbin e kanë edhe dy trajnerët, Blendi Shkëmbi i Tiranës dhe Aleksandar Veselinoviç i Partizanit.