Sopoti gati për sezonin e ri, librazhdiotët afrojnë "një mal" me lojtarë

Futboll

Sopoti gati për sezonin e ri, librazhdiotët afrojnë "një mal" me lojtarë

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 13:34
Sopoti

Sopoti ka qenë padyshim një nga ekipet më aktive në këtë merkato verore që sapo kemi lënë pas. Klubi nga Librazhdi ka si objektiv ngjitjen në Kategorinë e Parë dhe për këtë ka përforcuar ekipin në çdo repart. Shumë afrime janë bërë nga librazhdiotët, të cilët kanë krijuar një organikë që jep shpresa.

Goditja më e madhe në repartin e mbrojtjes për Sopotin ishte padyshim Klajdi Broshka. Ky i fundit luajti sezonin e fundit me Elbasanin në Kategorinë e Parë, teksa vendosi që karrierën të vazhdonte me Sopotin. Gjithashtu, Ledio Ukaj dhe Fabion Tartari kanë rinovuar kontratat e tyre. Me ekipin ëshët bashkuar dhe mbrojtësi i djathtë, Mikel Ferhati.

Por nuk është ndalur me kaq, pasi Sopoti ka transferuar edhe lojtarë që sezonin e shkuar ishin në Superiore. Aminu Ahmed nga Laçi dhe Isyaku Yusuf Nayara nga Kukësi janë dy prurjet e reja të librazhdiotëve. Këtyre u bashkohen dhe dy lojtarë të tjerë nigerianë si Faysal Abdolay Syni dhe Abdul Rashit.

Një afrim tjetër që pritet të jetë mjaft efektiv te Sopoti është dhe sulmuesi brazilian Felipe. Gjithashtu, 18-vjeçari Rei Xhepa, Gabriele dhe Devole pritet që të bëjnë mjaft mirë për të arritur objektivin “Kategori e Parë”.

Kujtojmë që edhe në miqësore Sopoti u shfaq mirë, duke fituar me Shkumbinin dhe Gramshin, teksa barazoi me Turbinën dhe Maliqin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat