Për Kukësin nuk ka kohë për të humbur, pasi verilindorët janë në një situatë ku duhet të grumbullojnë sa më shumë pikë dhe t’i largohen fundit.
Deri-diku, nisja ishte e pritshme, duke qenë se ekipi i filloi vonë përgatitjet, dhe për më tepër kishin përballë ekipe pretendente në start.
Tri humbjet e fundit e kanë vënë skuadrën nën presionin e pikëve, të cilat do të mundohen t’i rikuperojnë rrugës. Për këtë gjë i vjen në ndihmë disi edhe kalendari, pasi do të ndeshet me kundërshtarë të të njëjtit “rang”, të cilët gjithashtu nuk i kanë bërë një nisje të mirë kampionatit.
Fillimisht, kuksianët do të jenë mysafirë në Tropojë për të luajtur me Valbonën vendase, e cila ka vetëm një pikë më shumë se kuksianët në klasifikim.
Në vijim, verilindorët do të presin në shtëpinë e tyre skuadrën e Korabit që ka pesë pikë në renditje dhe do të mundohen të shfrytëzojnë sa të mundin faktorin fushë. Ndeshja e tretë në listë është ajo ndaj Pogradecit.
Të dy ekipet kanë nga tri pikë në renditje, ndaj kundërshtari shihet si një rival direkt në këto momente. Me pak fjalë, verilindorët kanë shansin më të mirë në tri sfidat e radhës për të marrë pikët që i duhen për vazhdimësinë dhe t’i largohen për momentin fundit të renditjes. Me këto pikë të mundshme të besuarit e trajnerit Çela mund të jenë më të qetë rrugëtimin e tyre në Kategorinë e Parë, ku objektivi primar është mbijetesa.
Te Kukësi pritet të kthehet edhe mbrojtësi Franci Lala, i cili pas zbritjes së ekipit nga Superiorja u largua drejt Partizanit. Problemet dhe mos përfshirja në asnjë takim me “demat” bënë që Lala të veshë sërish fanellën blu të Kukësit, që padyshim do ta stabilizonte disi qendrën e mbrojtjes.