Skuadrat vijnë thuajse të barabarta, ndonëse Partizani duket më i kolauduar
Detaje apo individë të veçantë mund të jenë përcaktues për të vendosur derbin e së shtunës midis Partizanit e Tiranës.
Të kuqtë duken më të kolauduar si formacion, megjithatë secila prej skuadrave i ka protagonistët që mund t’i dhurojnë fitoren.
Partizani e Tirana vijnë në derbin e së shtunës me diferencë tri pikësh në favor të të kuqve pas pesë javëve të para në Abissnet Superiore, ndërkohë që janë thuajse të barabartë për sa i përket goalverazhit. Partizani ka shënuar shtatë e ka pësuar pesë, ndërsa te Tirana sigurisht që ka balancë, duke ditur që ka arritur vetëm barazime, me gjashtë gola të shënuar e po aq të pësuar.
Skuadrat janë thuajse të barabarta në startin e derbit, por formacioni i Partizanit duket më i kolauduar. Kjo tregohet nga fakti që 8 lojtarë kanë qenë gjithmonë në fushë si titullarë në të pesta ndeshjet e deritanishme, me dy prej tyre, Qirko e Hadroj, që i kanë luajtur të gjitha minutat.
Te Tirana vetëm pesë lojtarë kanë qenë të palëvizshëm nga formacioni në pesë ndeshje, midis tyre Selmani, Kola e Mici me minuta të plota.
Si shpeshherë, derbi mund të vendoset nga detajet dhe xholi i Partizanit është padyshim Rrapaj, autor i tre golave, ndërkohë që përcaktues mund të jetë edhe Cara, si dhe Bintsouka apo Zeka. Te Tirana spikasin me nga dy gola Jarmouni e Ndreca, ky i fundit asi nën mëngë kundër Bylisit, ndërkohë që në mesfushë diktojnë Mehmeti për Partizanin dhe Jonuzi te Tirana.
Pa harruar edhe dy protagonistët e heshtur, ata që nuk shënojnë gola por që i kanë dhënë pikë skuadrës me pritjet e tyre, portierët Qirko e Selmani, të dy të shkëlqyer në javët e para.