Reali Madridi kërkon rekord

Futboll

Reali Madridi kërkon rekord

Më: 21 shtator 2024 Në ora: 11:33
Kumbulla

Ditën e martë do të bëhet 1 vit nga humbja e fundit e Realit të Madridit në La Liga.

Ndodhi kundër Atletikos së Madridit, rivalit të përjetshëm të qytetit, ndaj të cilit mund të hakmerret ditën e diel në datën 29.Bardhekuqtë janë ekipi i vetëm që kanë thyer të besuarit e Ançelotit në një ndeshje zyrtare në 16 muajt e fundit.

Është një Madrid që nuk ka humbur në 50 ndeshjet e fundit dhe nëse do të llogarisim vetëm 90 minutat, atëherë numri i sfidave shkon 55. Një ecuri e jashtëzakonshme që mund t’i çojë “Galaktikët” e Realit të Madridit që të thyejnë disa rekorde historike. Disa prej tyre, po i thyen. Ecuria më pozitive e Realit të Madridit pa humbur në La Liga është në vitet 80, kur arriti 30 ndeshje. Por kjo është lënë pas krahëve.

Ançeloti ka 37 ndeshje pa humbje në La Liga. Jo vetëm që është ecuria më e mirë e madrilenëve në kampionat, por edhe e treta më e mirë nga të gjitha klubet e përfshira. Nëse nuk mposhtet nga Espanjoli, atëherë do të arrijë 38 ndeshje pa humbje dhe do të barazonte ecurinë e dytë më pozitive që e ka Sociedadi nga viti 1979 deri në vitin 1980. Realit i duhen edhe 5 ndeshje për të barazuar rekordin e Barcelonës mes viteve 2017-2018 kur arriti 43 sfida pa u mundur. Dhe mund ta arrijë pikërisht në “El Clasico”.

CHAMPIONS- Edhe në Ligën e Kampionëve, Reali i Madridit ecën në të tilla ujëra. Në sezonin e kaluar arriti të fitonte të 15-tën pa humbur asnjë ndeshje. Në mënyrë kurioze, edhe pse është klubi me më shumë trofe në këtë kompeticion, ishte hera e parë që e fitonte i pathyer. Me sfidën ndaj Shtutgartit arriti 14 ndeshje i pamundur në Champions. Këtu i duhet vetëm 1 ndeshje për të thyer rekordin e Zidanit që arriti 15 të tilla pa njohur humbje në Champions. Ndërkohë që ecurinë më të madhe pa humbje në Champions e ka Mançester Junajtid me 25 ndeshje pa humbje nga viti 2007 deri në vitin 2009. Ajaksi dhe Bajerni kanë 19 ndeshje pa humbur. Në rast se kërkon ta thyejë rekordin e “Djajve” duhet të shkojë në çerekfinalet e këtij Champions-i i pamposhtur.

KUMBULLA- Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare Marash Kumbulla do të provojë të thyejë rekordin e madrilenëve. Ai do të luajë për herë të parë në karrierën e tij kundër Realit të Madridit me shpresën që të lërë gjurmë. Marash Kumbulla në “Bernabeu” për të jetuar ndoshta një nga mbrëmjet më të bukura të karrierës. Që nga transferimi tek Espanjoli ka bërë ndeshje shumë pozitive dhe duket i rilindur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat