Ndeshja e parë do të zhvillohet më 24 shtator në Podgoricë, ndërsa ndeshja e dytë më 26 shtator në “Reshit Rusi”
Kombëtarja shqiptare U-15 nis sot përgatitjet për dy ndeshjet miqësore me Malin e Zi U-15, që do të luhen më 24 dhe 26 shtator. Trajneri Armand Dama ka shpallur listën me emrat e 20 lojtarëve të ftuar për këto dy sfida.
Ndeshja e parë miqësore Shqipëri U-15 – Mal i Zi U-15 do të zhvillohet më 24 shtator në Podgoricë dhe do të nisë në ora 16:00. Ndërsa ndeshja e dytë mes këtyre skuadrave do të luhet më 26 shtator dhe e do të luhet në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe do të nisë në ora 16:00.
Shumë nga lojtarët e ftuar e konkretisht 17 të tillë, aktivizohen në kampionatin shqiptar. Këta futbollistë janë evidentuar jo vetëm në ndeshjet që luajnë me skuadrat e tyre, por edhe nga projekti i FSHF-së, “Step by Step”, ku futbollistët e vegjël që luajnë në Shqipëri grumbullohen dhe stërviten në “Shtëpinë e Futbollit” nën urdhrat e trajnerëve të ekipeve zinxhir të moshave. Sakaq, tre lojtarët e tjerë kuqezi vijnë nga akademitë e Lazios, Interit dhe Panathinaikos.
Nën drejtimin e trajnerit Dama dhe stafit të tij, kuqezinjtë e vegjël do të grumbullohen në Velipojë dhe do të zhvillojnë pasditen e sotme seancën e parë stërvitore me lojtarët e ftuar. Grumbullimi do të zgjasë 6 ditë dhe grupi do të ketë kohën e nevojshme për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin.
Këto dy teste miqësore janë një mundësi shumë e mirë për trajnerin Armand Dama dhe stafin teknik të Kombëtares U-15 për të testuar e vëzhguar nga afër lojtarët e grumbulluar.