Juvja nuk fal në shtëpi, por Napoli i hap probleme

Futboll

Juvja nuk fal në shtëpi, por Napoli i hap probleme

Më: 21 shtator 2024 Në ora: 12:40
Foto ilustrim

Juventus-Napoli do të jetë supersfida e ditës së sotme në Serinë A me dy skuadrat që do të përplasin brirët për 3 pikët në Torino në javën e 5-të. “Zonja e Vjetër” pas reagimit në Champions kërkon të rikthehet te fitorja edhe në kampionat ku vjen nga dy barazime radhazi.Nga ana tjetër Napoli me 3 fitore radhazi ka dhënë sinjale të qarta se Konte po vendos shenjën e tij në këtë skuadër dhe se mund të bëjë gjëra të mëdha, siç jemi mësuar shpesh ta shohim me skuadrat që ka drejtuar në kampionatin italian.

Megjithatë në ndeshjet në shtëpi Juvja duket disi i favorizuar. Bardhezinjtë kanë fituar 10 nga 13 ndeshjet e fundit në shtëpi përballë Napolit në kampionatin italian, ku përballja e fundit u vulos nga Federiko Gati.

Por nëse Juventusi ka qenë më i favorizuar në shtëpi përballë Napolit, në 9 ndeshjet e fundit mes njëra-tjetrës në Serinë A kanë qenë “të kaltrit” ata që kanë triumfuar më shumë. 6 fitore për skuadrën që aktualisht drejtohet nga Konte dhe që kërkon një tjetër triumf në “Alianz Stadium”, ndërsa bardhezinjtë kanë fituar 2 ndeshje dhe vetëm 1 sfidë ka përfunduar në barazim. Juventusi nuk ka pësuar asnjë gol në katër ndeshjet e para të këtij kampionati, diçka që ka ndodhur edhe katër herë të tjera në historinë e “Zonjës”.

Napoli ndërkohë e sheh veten në vend të dytë në Serinë A me 9 pikë, një më shumë sesa Juventusi. Skuadra e Kontes ka fituar 3 ndeshje radhazi, menjëherë pas disfatës në javën e parë. Napolitanët nuk arrijnë dot të fitojnë 4 ndeshje radhazi që prej shkurtit 2023, kur në krye ishte Luçiano Spaleti. Një tjetër statistikë interesante është se përballë do të vihet skuadra që ka krijuar më shumë raste (Napoli 72) dhe ajo që ka mbrojtur më mirë portën për të mos u goditur (Juventusi 25).

Gjithashtu përballë do të vendoset sulmi më i mirë i momentit që është Napoli, që e mban kreu e podiumit bashkë me Interin me 9 gola të realizuar. Nga ana tjetër Juventusi është mbrojtja më e mirë e kampionatit, pasi në katër ndeshjet e para portieri i “Zonjës” nuk është detyruar në asnjë rast që ta nxjerrë topin nga rrjeta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat