Josa: Fitorja e radhës, me Lushnjën

Futboll

Josa: Fitorja e radhës, me Lushnjën

Më: 21 shtator 2024 Në ora: 13:04
Josa

Besa do të luajë sot, ora 16:00, takimin e tretë në transfertë në këto 5 javë të para të kampionatit!

Pas fitoreve në Tropojë e Pogradec me shifra të njëjta 2-0, tashmë përballë do të ketë Lushnjën që ndodhet në kuotën e 7 pikëve dhe ka ndryshuar tërësisht nga sezoni i shkuar, kur luftonte për mbijetesë. Madje, për rëndësinë që ka për Lushnjën kjo përballje, tregon edhe ndjekja e Besës nga i gjithë stafi lagunar me “laps e letër” në fitoren kundër Kastriotit. Këtë ndryshim total të miqve, e vlerëson edhe trajneri Mirel Josa, i cili shprehet se Lushnja mbetet ekip më përvojë e traditë të gjatë në Superiore.

“Ekipe si Besa, Lushnja, Apolonia, Flamurtari e të tjera, kanë tjetër histori. Ato kanë garuar me mjaft dinjitet në Superiore. Ndaj ne kemi vlerësuar maksimalisht këtë përballje me Lushnjën duke e çmuar si një duel mes dy emrash me potencial, vlera dhe tradita”, u shpreh fillimisht trajneri Mirel Josa.

Natyrisht që rezultati për të dy ekipet ka vlera jo të vogla, ku lushnjarët kërkojnë të ngjiten në tabelë, ndërsa Besa për të ruajtur e vetme vendin e parë. Josa kërkon të heqë çdo presion mbi të besuarit e tij, teksa që në fillim e quan thjesht ndeshje të radhës atë me Lushnjën.

“Përtej çdo vlerësimi për Lushnjën, për ne do jetë thjesht ndeshja e radhës.

Gara do të ketë me dhjetëra takime të tilla dhe secila ka peshën dhe ecurinë e saj. Besa me meritë kryeson kampionatin, por unë vazhdimisht, në çdo seancë stërvitore, u kam pohuar lojtarëve se ka vend për korrigjim e përmirësim të lojës në çdo repart. Nuk është se kemi dominuar 90 minuta ndaj rivalëve që kemi fituar, ndaj kemi edhe ne për të korrigjuar. Gjykoj se ‘arma’ jonë më e fortë mbetet administrimi i lojës dhe reagimi atëherë kur duhet.

Këtë kam kërkuar edhe ndaj Lushnjës, që grupi të luaj i qetë, i sigurt dhe të jetë i karikuar e motivuar në çdo sektor të fushës e minutë të lojës. Jo vetëm ndaj Lushnjës, por kundër çdo kundërshtari, Besa synon rezultat pozitiv. E dimë se do jetë sfidë e fortë dhe kush do të gabojë më pak do të dalë i fituar. Uroj që të besuarit e mi të kenë edhe fatin me vete”, u shpreh trajneri Josa për “Panorama Sport”.

Besa është ekipi i vetëm që nuk ka pësuar gol në katërt javët e luajtura dhe që i ka pikët e plota, 12.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat