Juxhin Xhaja do të jetë arbitri që do të vendosë drejtësinë në derbin Partizani – Tirana, sot në orën 20:00 në ‘Air Albania’ e vlefshme për javën e 6-të të Superiores. Për gjyqtarin me stemën e FIFA-s do të jetë derbi i 9-të në karrierën e tij.
Në bilancet e derbit, Tirana ka fituar 3 përballje me atë 5-1 që mbetet në kujtim të të gjithëve. Partizani nga ana tjetër ka fituar 2, ndërsa 3 të tjerë janë mbyllur në barazim.
Për bardheblutë, Xhaja është disi më ‘fatsjellës’ në derbi, por bilanci i përgjithshëm me të është në zonën e kuqe.
Në 24 ndeshje, Tirana ka 7 fitore, 7 barazime dhe plot 10 humbje, ndërsa jnë ndëshkuar plot 7 herë me karton të kuq si dhe kanë fituar 7 penallti.
Me Partizanin ndodh e kundërta, pavarësisht se në derbi janë në ‘disfavor’, sfidat e tjera janë në bilanc pozitiv. 12 fitore e barazime dhe 10 humbje në 34 ndeshje të zhvilluara nën gjykimin e Xhajës. Të kuqtë janë ndëshkuar 4 herë me karton të kuq, ndërsa kanë fituar gjithashtu 7 penallti.
Sipas statistikave, nuk do të ishte çudi nëse sonte do të shihnim ndonjë penallti të akorduar apo karton të kuq duke qenë se Xhaja nuk i ka kursyer aspak edhe kur ka drejtuar derbit e mëparshëm.