Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së u mblodh sot për të shqyrtuar një sërë propozimesh në lidhje me rregulloret e kampionateve, investimet në infrastrukturën sportive apo dhe sistemin VAR.
Anëtare e KE miratuan propozimin për ndryshime në Rregulloren e Aktivitetit të Kategorisë Superiore & Kategorisë së Parë si dhe Kategorisë së Dytë.
Më konkretisht, sipas këtij vendimi duke nisur nga muaji janar 2025 (me hapjen e merkatos së ardhshme të futbollit) klubet e kategorisë “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë do të kenë të drejtën të aktivizojnë njëkohësisht 7 lojtarë të huaj në fushën e lojës gjatë ndeshjeve.
Ndërkaq, duke nisur nga sezoni 2025-2026, klubet e kategorisë “Abissnet Superiore” mund të aktivizojnë lojtarë të huaj pa limit, ndërsa për klubet e Kategorisë së Parë mbetet në fuqi rregulli me 7 lojtarë të huaj në fushë njëkohësisht.
Sa i përket Kategorisë së Dytë, KE vendosi të heqë kufizimin për numrin e lojtarëve që vijnë nga jashtë qarkut.
Komiteti Ekzekutiv ka miratuar gjithashtu çmimet e biletave për dy ndeshjet e ardhshme të Kombëtares ndaj Çekisë dhe Ukrainës, që luhen në muajin nëntor në Tiranë.
Gjithashtu, u diskutuan dhe u miratuan propozimet për rikonstruksionin e fushës me bar artificial në aneksin e stadiumit “Kastrioti” dhe për krijimin e një fushe të re me bar sintetik në “Shtëpinë e Futbollit”.
Sa i përket infrastrukturës sportive në Shkodër, FSHF në bashkëpunim me klubin Vllaznia dhe Bashkinë Shkodër kanë rënë dakord për konstruksionin e një fushe me bar natyral në njësinë administrative Postribë dhe për mbështetjen e projektit të rikonstruksionit të fushave tek“Kompleksi Sportiv Zmijani”.
Po në lidhje me infrastrukturën, u miratua edhe kërkesa për mbështetje financiare referuar projektit për rikonstruksionin e tapetit dhe dhomave të zhveshjes tek “Myslim Koci”, në Gramsh.
Gjatë mbledhje u diskutua dhe u miratuan propozimet për qendërzimin e sistemit VAR dhe propozimi për krijimin e një platforme televizive FSHF – TV.