Ndeshjet e sotme të Kategorisë së Parë kanë sjellë edhe ndalesën e parë të Besës e cila deri tani kishte qenë e pagabueshme.
Në javën e pestë, skuadra e Mirel Josës është ndalur përballë Lushnjës në një barazim pa gola mes dy skuadrave.
Kjo ka ndihmuar Vorën që t’i afrohet skuadrës që mban vendin e parë, pasi goli i shënuar që në minutat e parë nga Avdiu në ndeshjen kundër Korabit, ka mjaftuar për të marrë pikët e plota në këtë transfertë të komplikuar.
Një duel i luftuar mes dy skuadrave që luajnë për mbijetesën ishte ai mes Pogradecit dhe Erzenit, i zgjidhur me një gol në shtesë nga Panadiç i cili i dha tre pikët liqenorëve, ndërsa fundosi edhe më shumë shijakasit që janë me 0 pikë pas 5 ndeshjesh.
Kastrioti ndërkohë ka bërë një hap të rëndësishëm në renditje teksa ka mundur Burrelin, për të qenë më i qetë larg zonës së ftohtë të klasifikimit.