Partizani dhe Tirana kanë ndarë nga një pikë në derbin e parë të këtij edicioni, në një sfidë që prodhoi entuziazëm vetëm në tribuna ku nuk mungoi mbështetja ndaj skuadrave, të cilat nuk iu përgjigjën në të njëjtën mënyrë në fushën e lojës.
Të dy skuadrat mendonin më shumë për të mos humbur dhe kjo u pa qartë nga fakti se prodhuan pak futboll duke luajtur me shumë forca mbrapa.
Gabime të shumta, faulle të panevojshme në çdo cep të fushës dhe shumë pak futboll, bënë që ndeshja të kalonte pa shumë raste për t’u kujtuar, duke dekretuar një barazim që zgjat serinë e ndeshjeve pa fitore të të dy ekipeve në këtë kampionat.
Partizani ka tashmë tre barazime radhazi, ndërsa Tirana shkon në 6 barazime në po aq ndeshje të luajtura, teksa mbetet e pamposhtur por larg kreut të renditjes.