Rasti është i bujshëm. Sepse në 115 vite histori, nga 180 derbi të luajtur, askush nuk ka fituar 7 derbi radhazi. Interi, i cili arrin në derbin e nesërm shumë më mirë se kushërinjtë e tyre kuqezinj, në nivel fizik, moral dhe teknik, është sot në kuotën e 6 derbeve radhazi të fituar.
Një hap më tej mjafton për të hyrë në histori përgjithmonë. Përqasja, së fundi, ka qenë e pamëshirshme.
Mes Superkupës së Italisë, Serie A, Kupës së Italisë dhe Ligës së Kampionëve, herët e fundit skuadra e Inzaghit e ka mposhtur gjithmonë “Djallin”. Duke shtuar golat e shënuar nga dy skuadrat në 6 ndeshjet e fundit, rezultati është i frikshëm: 14 me 2 për Interin.
Një rekord, nëse do të arrihej, i cili i gjithi do t’i përkiste Simone Inzaghit. Dhe të mendosh se trajneri zikaltër, në derbin e parë të Madoninës, kishte vuajtur shumë nga presioni, duke marrë vetëm 5 pikë në 5 ndeshjet e para. Një barazim në debutimin e tij, disfata historike e nënshkruar nga Giroud, paraqitje e dobët 0-0 në Kupën e Italisë, fitore e pastër 3-0 në ndeshjen e kthimit dhe një tjetër humbje në kampionat (3-2 për Milanin).
Pastaj diçka ndryshoi. Super ecuria e Interit në derbi nisi në finalen e Superkupës në Riad, në një ndeshje të dominuar nga fillimi deri në fund dhe fituar 3-0. Më pas, radhazi, një kreshendo kënaqësie për zikaltrit dhe poshtërime për kuqezinjtë: 1-0 në kampionat e firmosur nga Lautaro, dopietë fitoresh në gjysmëfinalen e Champions League, triumfi shumë i rëndë 5-1 shtatorin e kaluar dhe 2-1 i prillit, që siguroi matematikisht titullin e yllit të dytë zikaltër.
Një rrugë në dukje e pandalshme, që mund të çojë në një rekord të të gjitha kohërave, nëse Interi do të fitonte gjithashtu të dielën. Një rekord, ndër të tjera, të cilit Milani iu afrua mes viteve 1911 dhe 1913, kur kuqezinjtë u ndalën në 6 fitore radhazi. Një seri pozitive e barazuar, përsëri nga “Djalli”, mes viteve 1946 dhe 1948. Në atë rast Interi i pengoi rivalët ndërqytetas të arrinin shifrën e 7 derbeve të fituar radhazi. A do të ketë sukses Fonseca kundër Inzaghit.