Të dielën, Shkëndija pret Voska Sport në Tetovë për ndeshjen e xhiros së gjashtë në Ligën e Parë. Kuqezinjtë hyjnë në këtë duel si liderë të kampionatit, me pikë të barabarta me Rabotniçkin.
Pas një fitoreje të lehtë në 1/16 e finales së Kupës së Maqedonisë ndaj Jeni Maale-s, Shkëndija kërkon të vazhdojë formën e mirë në kampionat. Kuqezinjtë kthehen të luajnë në Tetovë pas tre javëve, pasi ndeshja e fundit si vendas daton nga 31 gushti kur mundëm 2:0 Pelisterin në takimin e xhiros së katërt.
Për këtë ndeshje, skuadra do të jetë pa Ronaldo Websterin, i cili mungon për shkak të një dëmtimi.
Voska Sport ka pasur rezultate të ndryshueshme deri tani në kampionat. Me një formacion krejtësisht të ri nga sezoni i kaluar, kur arritën në finalen e Kupës, këtë vit kanë hasur në vështirësi si vendas, por janë treguar të rrezikshëm si mysafirë.
Përveç humbjes ndaj Tikveshit, Voska ka surprizuar në dy ndeshje të tjera jashtë fushe, duke shënuar nga tre gola në secilën përballje.
Pas një barazimi 3:3 në start të sezonit me Shkupin, ata më vonë fituan 3:1 ndaj Vardarit.
Ndeshja do të zhvillohet të dielën në Tetovë, me fillim në ora 15:00.