Një paraqitje mbresëlënëse në ndeshjen ndaj Parmës dhe një asist spektakolar, e panë Ylber Ramadanin të bëhej protagonist në fushën e lojës me fanellën e Lecces.
Por në Itali sot nuk flitet për paraqitjen e tij të jashtëzakonshme, por për të sharat ndaj trajnerit.
I zëvendësuar në pjesën e dytë të takimit, kur skuadra e tij po fitonte 2-0, Ramadani duket se nuk e ka pritur mirë këtë gjë. Mediat italiane raportojnë se ai i është kundërvënë trajnerit Goti edhe duke e sharë atë në mënyrë të dukshme pasi kërkonte të vazhdonte të ishte në fushë.
Një situatë e pazakontë duke pasur parasysh se mesfushorit është një nga emrat më të besuar të teknikut të Leçes. Në fund të sfidës që u mbyll me shifrat 2-2, vetë trajneri Goti u pyet në konferencë rreth kësaj situate të pazakontë.
“Nuk e kam diskutuar me Ramadanin, do të flasim me qetësi nesër”, tha trajneri i Leçes për këtë shpërthim të Ramadanit që po trajtohet si “çështje” në klubin në fjalë nga mediat italiane.