The Friedkin Group, pronarët e Romës, kanë konfirmuar se kanë arritur një marrëveshje për blerjen e shumicës së aksioneve tek Evertoni.
Friedkin Group dhe Everton përmes një njoftimi të përbashkët të hënën kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshje për marrjen e klubit.
Raportimet e mëhershme bënin me dije se pronari i Romës do të investonte 500 milionë euro për blerjen e klubit të Ligës Premier.
Sidoqoftë, kjo lëvizje e tij nuk do të thotë se ata tani do të synojnë shitjen e Romës.
“Kjo blerje nuk do të thotë se ata do të tërhiqen nga Roma”, ka thënë gazetari i Sky Sport Italia, Angelo Mangiante.
“Ne e dimë se do të ketë një ndarje, me Dan Friedkin që do të jetë më shumë prezent në Liverpool, tek klubi i ri, sepse të jesh pjesë e Ligës Premier ishte njëri ndër objektivat e tyre”.
“Është një ligë ku Evertoni renditet e fundit me një barazim dhe katër humbje, por siç thanë ata në njoftim, ata duan të ofrojnë stabilitet për të ardhmen”.
The Friedkins u përballën me kritika të ashpra në kryeqytetin italian pas shkarkimit të legjendës së klubit Daniele De Rossi pas vetëm katër ndeshjeve.
Ish-mesfushori i Romës u shkarkua papritmas javën e kaluar dhe ky veprim i drejtuesve bëri që të shpërthejnë protesta në rrugë dhe në rrjetet sociale.