Barcelona duket se do t’i duhet të nisë punën për të gjetur një portier, pas dëmtimit të rëndë që mori Marc-Andre ter Stegen në ndeshjen e fundit në kampionat. Siç bëjnë me dije mediat, katalanasit kanë nisur menjëherë nga puna, ku emrat që përfliten janë Keylor Navas dhe Loris Karius, të dy pa skuadër.
Por media e njohur katalanase, “Mundo Deportivo”, i ka sugjeruar Barcelonës edhe portierin e Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha. 35-vjeçari kuqezi është pa skuadër që nga fundi i sezonit të kaluar dhe ende asnjë klub nuk ka arritur ta bindë, teksa prestigjiozja katalanase e sheh atë si një opsion të mundshëm për ekipin e Hansi Flick.
“Një karrierë e gjatë në Serie A dhe e padiskutueshme prej vitesh në kombëtaren shqiptare. Skuadra e tij e fundit ishte Empoli”, shkruan në përshkrimin e Berishës “Mundo Deportivo”.
Gjithashtu në sondazhin e hapur nga portali, gardiani kuqezi deri tani ka marrë 192 vota, duke u renditur në vendin e 8-të nga 10 portierët e sugjeruar, teksa vendi i parë mbahet nga Keylor Navas.