Endrick po bën rrugën e tij te Real Madridi, duke ëndërruar një të ardhme të ndritur, në vazhdën e sulmuesve të mëdhenj që i paraprinë aty. Edhe Palmeiras gjithashtu shpreson që sezoni i tij të jetë plot gola. Kjo nga dashuria për talentin që u rrit me ta, por edhe për arkat e klubit.
Në fakt, në kontratën e tij është klauzola specifike, që saktëson bonuse për Palmerias mbi bazën e golave të shënuar. Po flasim për një listë të detajuar arritjesh, që do ta rriste në mënyrë dramatike çmimin e talentit brazilian për “Los Blancos”.
Kjo u zbulua për “Chiringuito” nga Joao Paulo Sampaio, drejtor i sektorit të të rinjve të Palmeiras dhe zbulues i lojtarit në fjalë. Në Brazil, të gjithë po i mbajnë gishtat e kryqëzuar se ai do të ketë sa më shumë ndikim në ndeshje, duke qenë se kontrata e transferimit në Spanjë përfshin bonuse shumë të mëdha, që ende nuk ishin zbuluar me kaq detaje.
Tashmë ekziston një listë e saktë me paraqitjet e lojtarit, krahas shumës që do të marrë klubi brazilian, kur të jenë arritur disa objektiva. Kostoja e Endrick do të rritet në bazë të golave dhe asisteve, duke mbështetur bonuset e përfshira në kontratë, në momentin e transferimit në La Liga.
Sampaio shpjegoi me detaje se cilat objektiva përfshihen në raport me bonuset e Endrick: “Klauzolat zbatohen për golat dhe asistet. Çdo 5 gola kushtojnë 1.5 milionë euro, deri në 60 milionë euro në total”.
Momenti i parë tashmë është arritur, duke qenë se këtë sezon braziliani ka shënuar 6 gola në të gjitha garat, duke i dhënë Palmeiras 1.5 milionë eurot e para bonuse. “Thirrja e parë në kombëtaren e madhe të Brazilit ishte 1.5 milionë të tjera bonuse për Palmeiras. Nëse ai fiton ‘Topin e Artë’, mendoj se nuk ka klauzolë për këtë”, – saktësoi zbuluesi i Endrick.
Të gjitha këto shpërblime të shpërndara me kalimin e kohës rrisin ndjeshëm koston e çmimit të tij. Marrëveshja e transferimit është rreth 35 milionë euro, por duke shtuar të gjitha këto variabla, plus bonuset e tjera të pranishme në kontratë, shifra me siguri do të kalojë 60 milionë euro.