Ambasadori i futbollit saudit dhe sponsor i ofertës për të pritur Kupën e Botës 2034, Neymar Jr., përmes rrjeteve sociale të Al Hilal, shpjegoi pse FIFA duhet t’ia besojë zhvillimin e Kampionatit Botëror pikërisht Arabisë Saudite.
“Njerëzit nga e gjithë bota do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë për kulturën saudite, vendin, kështu që do të jetë një përvojë e mrekullueshme të jesh këtu me të gjithë”, – tha braziliani, i veshur për këtë rast me veshje tipike saudite.
Për momentin, Arabia Saudite është i vetmi vend që ka propozuar kandidaturën e saj për organizimin e kompeticionit në fjalë. FIFA do të duhet ta caktojë emrin e vendit pritës të Kupës së Botës 2034 në fund të vitit, por detyra duket se është e dhënë.
“Jam shumë i lumtur për vendin, mendoj se e meriton këtë njohje, këtë mundësi për të pritur një Kupë Bote”, – shtoi Neymar, i cili nuk ka luajtur për gati një vit.