Së fundi, në kanalin spanjoll “Movistar” është transmetuar një fragment i ri nga dokumentari kushtuar Luis Enrique.
Trajneri i PSG flet për marrëdhënien e tij me Kylian Mbappe, duke vlerësuar talentin e sulmuesit francez, që i skadoi kontrata kësaj vere në “Parce des Princes”. Kampioni i Botës më 2018 u largua përgjithmonë nga klubi parizien gjatë verës për t’u transferuar te Real Madridi, për keqardhjen e madhe të trajnerit spanjoll.
“Në rastin e Kylian, takova një lojtar të mrekullueshëm, – thotë ish-trajneri i Spanjës.
Një person i jashtëzakonshëm, siç ndodh rrallë për një lojtar të këtij niveli. Njerëzor, i dashur, i afërt, ai është lojtar i mrekullueshëm. Sa mëkat që shkoi në Madrid, veçanërisht për ne. Të tilla lëvizje, megjithatë janë pjesë e futbollit, ndaj personalisht nuk kam asgjë për ta qortuar”.
Luis Enrique e menaxhoi Mbappé gjatë një sezoni “të veçantë” për lojtarin, i cili u përjashtua nga turneu në Azi, verën e vitit 2023, pasi informoi klubin për vendimin e tij për të mos e zgjatur kontratën. Ai u rikthye përfundimisht në ekip pas ndeshjes së parë të kampionatit, por situata ndryshoi sërish në fillim të vitit 2024, kur shpalli lamtumirën e fundit të sezonit.
Luis Enrique, në pjesën e fundit, shpesh e ulte në stol. Një mënyrë për t’u përgatitur për të ardhmen e PSG pa ish-lojtarin e Monaco. Sidoqoftë kjo nuk e ndaloi Mbappé që ta mbyllte sezonin me 44 gola dhe 10 asiste në 48 ndeshje, në të gjitha garat.