Erzeni thellon vetëm rekordet negative, ekipi i vetëm me dy zero në Kategorinë e Parë!
Ecuria e Erzenit në këtë fillim sezoni në Kategorinë e Parë nuk ka të krahasuar me asnjë fillim edicioni në historinë e futbollit shijakas. Askush nuk e mban mend që Erzeni në historinë e tij, në pesë javët e para ta ketë shifrën zero te kolona e golave të shënuar dhe pikëve.
Çdo prag ndeshje mendohet se ka ardhur momenti që Erzeni të gjejë golin dhe pikën e parë e parë në kampionat.
Por kanë kaluar 450 minuta e para dhe ky rekord negativ i shijakasve sa vjen e thellohet.
Në Pogradec të besuarit e trajnerit Bespalla ishin shumë pranë marrjes së pikës së parë, por të pafat u ndëshkuan në minutën e 93-të. Të dielën Erzeni pret Kastriotin dhe të gjithë luten që të marrë fund tersi te skuadra shijakase.