Ish selektori i kombëtares së Kosovës në futboll, Bylbyl Sokoli, trajner i shumë skuadrave në Kosovë, një kohë edhe në Maqedoni të Veriut, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit.
“Në ngjarjet e fundit rreth marrëdhënieve mes federatës së futbollit dhe mjeteve të informimit, kemi parë shumë reagime nga klubet dhe tifozët.
Fjalori ishte shumë degradues dhe me tendencë të qartë të diskreditimit të gazetarëve, analistëve, punonjësve sportivë dhe shtëpive të informimit.
Ftesa e disa portaleve që të reagoj dhe të them të vërtetën e historikut më të ri të sportit, futbollit të Kosovës, më detyron të them disa fjalë:Vitet 1990-1999. Bartësi kryesor i organizimit të sportit ka qenë Federata e Sporteve të Kosovës, nën ombrellën e së cilës ishin të gjitha federatat sportive. Qëllimi kryesor ishte:
Mbijetesa e sportit të Kosovës. Kontribut të madh dhanë sportistët e atëhershëm, pedagogët, trajnerët, donatorët dhe pronarët e livadheve.
Shumë shpesh, në raste rreziku, ishin fshatarët ata që mbronin sportistët aty ku zhvillohej aktiviteti sportiv.
Ndodhi ajo që ka qenë dashur të ndodhë. Ishte obligimi ynë kombëtar të organizoheshim në mbijetesën e sportit tonë.
Një pjesë e vogël e sportistëve dhe pedagogëve nuk u kyqën fare, ndërsa disa, pas një, dy, apo edhe tri vitesh, dolën në perëndim për qëllime të tyre… Pjesa më e madhe mbetëm deri në ditën kur u ndërprenë garat për shkak të luftës!
Sot e kësaj dite nuk kemi një qëndrim të saktë se si është dashur të veprojmë me ata që nuk u bashkuan në rezistencën për mbijetesën e sportit.
Janë publike rezultatet e secilit, të shkruara nëpër klube, federata apo aktivitete, të cilat i njeh edhe historia e fundit. I njeh edhe ata që hezituan, dhe nuk u kyqën apo kanë bërë “sëhirë” në kohën kur më së shumti iu nevojitej këtij vendi. Disa prej tyre sot punojnë në institucione sportive të Kosovës!
Shumë kontribues, sportistë, pedagogë, donatorë nga të gjitha vendet e Kosovës as që mund të punojnë apo t’i afrohen institucioneve të futbollit… arsyeja!!!???
Nuk përmenda emrat të cilët dihen nga pjesëmarrësit e periudhës së mbijetesës së sportit, sepse obligimi ynë kombëtar ishte të jepnim kontribut në mbijetesën e sportit tonë. Nuk përmenda as emrat e atyre që në emër të kësaj periudhe kanë pasur dhe kanë përfitime të mëdha!
Nuk përmenda as emrat e atyre që “krekosen” se çdo gjë në futboll ka filluar nga ata!
Sporti nuk njeh diferencim, por vetëm vetëdiferencim. Kjo është rregulla e lojës në sportin kosovar.
Nuk jam me kulturë të anatemoj, por në emër të etikës dhe të gjithë atyre që kontribuan dhe ende po kontribojnë, duhet t’i mbrojmë vlerat kombëtare…
Pedagog, trajner, anëtar i kryesisë së Federatës së Sporteve të Kosovës, seleksionues i Kosovës dhe trajner i shumë skuadrave në periudhën e mbijetesës së sportit të Kosovës”, ka reaguar Sokoli.