Laçi do të kërkojë me ngulm fitoren e parë në javën e shtatë të Superiores, teksa përballet me Teutën në stadiumin e tij. Ndeshja do marrë jetë më 28 shtator ora 16:00 dhe statistikat i “buzëqeshin” bardhezinjve kësaj here.
Bëhet fjalë për 26 ndeshje të luajtura në kuadër të Superiores nga viti 2010. Teuta ka fituar vetëm 4 prej tyre, ndërsa Laçi ka mbyllur me triumf 16 të tjera. Rrjedhimisht 6 përballje janë mbyllur barazim.
Po ashtu 45 golat e shënuar nga Laçi tregojnë një mesatare të mirë.
Durrsakët në anën tjetër kanë shkuar 21 herë te rrjeta e pritësve.
Dhe pse fillimi i këtij sezoni është mjaft i vështirë për Laçin, ndeshja e radhës mesa duket i sjell fat në shtëpi. Kundër Teutës së Edi Martinit pritet të luhet vetëm për tri pikët.