Kushtrim Reshitaj ia thotë hapur Baton Haxhiut: Nuk kam qenë asnjëherë as gazetar e as ‘spiker’ i tij si individ

Futboll

Kushtrim Reshitaj ia thotë hapur Baton Haxhiut: Nuk kam qenë asnjëherë as gazetar e as ‘spiker’ i tij si individ

Nga: K.G. Më: 24 shtator 2024 Në ora: 16:36
Baton Haxhiu

Javëve të fundit ka shumë polemika në futbollin e Kosovës sidomos për pavarësimin e sportit në vitet e 90-ta nga ai ish jugosllav dhe serb.

Ajet Shosholli, trajner i trajnerëve, ish selektori i parë i kombëtares së Kosovës në futboll, është i pari që ia tha troç Baton Haxhiut.

“Keni deklaruar se gjoja se ti je ai me Bylbylin (Bylbyli mundet me dëshmu aty) që keni formu ligën e pavarur të futbollit, kështu që ti me atë pavarësim nuk ke lidhje.

Nuk ke kurrfarë qasje atëkohë, prandaj nuk është mirë të thoni të pavërteta.

Sepse ti thua gjithashtu që ke qenë refer federativ, zotëri 65 vite jam me futboll, ti asnjëherë nuk ke qenë pjesë e futbollit të referëve federativë.

Atë e them me përgjegjësi të madhe.

Ti sillesh aty si ekspert i futbollit, dhe mban ligjërata si duhet të organizohet futbolli, kush je ti bre zotëri, mundesh lami tjera me fol, laminë e futbollit leja zotëri futbollistëve.

Nuk e di pse hynë në këtë lëmi që nuk ke bash lidhje me të”, kështu i tha Shosholli Haxhiut para disa ditëve.

Baton Haxhiu ka përmendur edhe emrin e Kushtrim Reshitaj, ish portier i gjeneratës së sakrificës në futboll, sot është zyrtar në FC Ballkani dhe gazetar - moderator në Klan Kosova. 

Reshitaj i ka reaguar hapur Haxhiut. 

“Ndaj të gjithë njerëzve që qoftë një herë të vetme mund të kenë pasur ndonjë indikacion pozitiv në jetë time, respektin ndaj tyre e ruaj gjithmonë.

I tillë është edhe Baton Haxhiu, prandaj tash e dy ditë e kisha me mëdyshje të reagoj ose jo, ndaj një deklarate ku tërthorazi më ka përmendur në një studio televizive. Por më ka përmendur gabim, me huqje totale të një koncepti analize, sikurse me përvetësim të diçkaje që nuk i takon.

Në radhë të parë dua ta potencoj se Baton Haxhiu është personi që më ka marr në punë në Klan Kosova, televizionin ku unë edhe sot punoj me krenari. Tani gati 16 vjet pas atij momenti, unë e konsideroj si njërin prej njerëzve që kanë pasur ndikim pozitiv në fillimet e mija në gazetarinë televizive, për çka edhe do të jem falenderues për besimin dhe mundësinë.

Megjithatë e vërteta qëndron te fakti se z.Haxhiu nuk m'ka ofru punë mu as për djalë të mirë, as për flokët apo sytë e mi, por pse unë isha një gazetar i ri me potencial, një prezantues lajmesh po ashtu me potencial, gjë për të cilën më pas ka tregu koha.

Si rezultat i kësaj, ai ka insistu gjithmonë me më mbajt në televizion edhe atëherë kur unë kam mendu me ndryshu ambient, edhe atëherë kur unë kam pasur mospajtime me shumë gjëra e njerëz brenda institucionit ku punoja, sikurse edhe kur thjeshtë nuk kemi mendu njejtë as me z. Haxhiun për aktualitete të periudhave të caktuara.

Është ulur me mua në zyrë dhe më ka bindur të rri në Klan Kosova (gjë për të cilën nuk jam penduar asnjëherë, sot edhe ia di për nder).

Por përsëri nuk e ka bërë as për sytë e flokët e mija, as pse unë e kam pasur emrin Kushtrim. Por për shkak se një gazetar e prezantues si unë, ka dëshiru ta ketë në Klan, assesi ta shikojë në një medium konkurrent të televizionit që ai e udhëhiqte aso kohe.

Por ajo që është kryesorja në këtë histori, qëndron te fakti se unë nuk kam qenë asnjëherë as gazetar e as "spiker" i tij si individ, siç i paska dhënë të drejtë vetës ta thotë. 

Kam qenë dhe jam pjesë e televizionit Klan Kosova.

Drejtuesit mund të shkojnë e vinë, sikur që edhe Batoni ka vite që ka shkuar, por Klan Kosova është shtëpi gjigante, rritet në pafundësi nga viti në vit dhe unë jam ende aty, kryelart për gjithçka të dhënë e të arritur. Kurrë pa e bërë as veprimin më të vogël për të cilin do të duhej ta ulja kokën, hiç kurrë!

E dyta, paska pretenduar se Federata e Futbollit të Kosovës ia paska shkru disa klubeve kosovare ca reagime, përfshi edhe klubin tim të zemrës, FC Ballkanin (brenda të cilit në edicionin e shkruar, 2023/24, kam qenë edhe me pozicion zyrtar).

Por pastaj i del kundër pretendimit të tij, duke aluduar se unë ia kam shkru, bile sipas tij keq me përmbajtje, reagimin e kampionit të Kosovës. 

Por në esencë ka një disbalanc të madh të fjalive të z. Haxhiut, pasi nëse sipas tij FFK-ja ia paska shkru klubeve thelbin e reagimeve, atëherë s'mundet dikush tjetër ta shkruaj për së dyti thelbin e njejtë. Mund të dallojnë shkronjat, por assesi përmbajtja. Z. Haxhiu u "ankua" në përmbajtjen e shkruar keq (sipas tij nga unë), kurse disa minuta më parë tha që çdo gjë ka qenë e sinkronizuar me direktiva.

Kështu që sinqerisht më erdhi keq për fushën ku e shikova gabimisht të zhytur!

Për hirë të së vërtetës unë i besoj FC Ballkanit në këtë rast më shumë se Batonit dhe krejt të tjerëve sepse është klub i strukturuar rrjedhshëm, me njerëz që punojnë shumë, e mbi të gjitha me investitorë seriozë që shkrijnë pasurinë e tyre për t'i arritur sukseset, të cilat sot flasin më mirë se çdo fjalë.

Kjo për mu është Alfa dhe Omega e çdo gjëje që është arritur dhe këta njerëz janë heronjtë e vërtetë të progresit sportiv në Kosovë.

Dhe e treta e cila është shumë e thjeshtë për t'u kuptuar nga të gjitha kategoritë e shoqërisë, ka të bëjë me postimet që dalin nga një klub sportiv.

Pra ato paraqesin qëndrimin e klubit në fjalë, të askuj tjetër. Edhe nëse Kushtrimi (që u aludua), Jetullahu që udhëheq me rrjetet sociale te FC Ballkani, filani apo fisteku, kush do që mund t'i ketë renditur rreshtat, ai është qëndrim i klubit jo i individit.

Dhe e fundit, sa i përket mendimit e qëndrimit tim si Kushtrim rreth debateve të fundit në futboll, unë para disa dite kam shkru në profilin tim personal në facebook. Ashtu siç e kam potencu, ashtu edhe i qëndroj prapa çdo fjalie. Unë jam gjithmonë me fjalën e lirë dhe me gazetarët, kurse si shikues, po e vërtetë, nga disa "analistë" edhe më dhemb koka”, ka reaguar Reshitaj në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat