Federata e Futbollit të Maqedonisë ka njoftuar opinionin sportiv në vend se fusha e stadiumit të qytetit në Kavadar është suspenduar sipas nenit 77, 87 dhe 90 të Rregullores së Garave të FFM-së, për shkak të sulmit (është hedhur një shishe e mbushur plastike) ndaj ndihmësit të Aleksandar Stavrev, në këtë rast Goce Petrevskit.
Ky i fundit pas incidentit në fjalë ishte shtrirë në fushë, ndërsa menjëherë pas kësaj pamje të shëmtuar, arbitri kryesor Stavrev kishte dhënë shenjë për përfundimin e takimit, duke u drejtuar drejt dhomave të zhveshjes, së bashku edhe me ndihmësit e tij.
Suspendimi i terrenit zgjat deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Komisioni Disiplinor i FFM-së.
Komisioni i garave pranë FFM-së, sipas nenit 87 dhe 90 të Rregullores së Garave të FFM-së, këtë ndeshje e kishte regjistruar me rezultatin zyrtarë 0:3 në favor të Vardarit.
Ndryshe skuadra shkupjane deri në momentin që ndodhi incidenti në fjalë, avansonte me rezultatin 1:0, falë golit të shënuar nga Zakariq, ndërsa arsyeja pse arbitri anësor ishte goditur me shishe plastike të mbushur me ujë, ishte se i njëjti kishte anuluar një gol të ekipit vendas, në këtë rast Tikveshit, edhe atë në minutat e kohës shtesë.