Reagon presidenti i FC Ferizajt: Arsim Abazi ka besimin e plotë të klubit

Futboll

Reagon presidenti i FC Ferizajt: Arsim Abazi ka besimin e plotë të klubit

Më: 24 shtator 2024 Në ora: 19:26
Lulzim Abazi

Ferizaj është rikthyer në Superligën e Kosovës pas një viti të kaluar në Ligën e Parë të Kosovës.

Ferizajasit njihen si një nga skuadrat më të organizuara në Kosovë, megjithatë pas një starti të mirë të kampionatit gjërat nuk kanë shkuar shumë mirë.

Bardhekaltërtit e nisën mirë sezonin me një fitore e një barazim, por pastaj kanë humbur katër ndeshje radhazi nga Prishtina, Drita, Suhareka dhe së fundmi Llapi.

Interesant fakti është se skuadra e drejtuar nga Arsim Abazi po krijon shumë raste shënimi, megjithatë nuk po arrijnë të finalizojnë ato.

Përkundër spekulimeve se Arsim Abazi do të largohet për të ardhur një trajner i ri në skuadër, një gjë e tillë është mohuar nga presidenti i Ferizajt, Lulzim Abazi.

“Nuk kam biseduar me asnjë trajner, pasi jemi të kënaqur si klub me punën e trajnerit Arsim Abazi”, ka thënë Lulzim Abazi për Gazetën Olle.

“Vërtetë na ka munguar fati në këto humbje që kemi pësuar, pasi skuadra ka luajtur mirë. Gjithsesi të gjithë në klub besojnë te trajneri Arsim Abazi dhe se do të rikthehemi te rezultatet pozitive”, ka deklaruar i pari i klubit ferizajas.

Në xhiron e ardhshme, Ferizaj udhëton në Suharekë për tu përballur me kampionin në fuqi Ballkanin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat