Në fundin e muajit shtator do të ngrejë siparin turneu “UEFA Development” i grupmoshës U-15 për vajza. Një turne shumë i rëndësishëm që do të zhvillohet në vendin tonë nën organzimin e FSHF-së në bashkëpunim me UEFA-n.
Në turneun “UEFA Development” U-15 për vajza veç ekipit tonë Kombëtar do të marrin pjesë edhe Kosova, Estonia dhe Maqedonia e Veriut. Të gjitha ndeshjet janë planifikuar të luhen në datat 30 shtator, 2 tetor dhe 5 tetor.
Në ditët në vijim, trajneria e ekipit Kombëtar të vajzave U-15, Daniela Kodra do të zbardhë edhe listën me futbollistet e thirrura për këtë turne.
Ndeshja e parë e turneut do të jetë Maqedoni e Veriut – Estoni, me sfidën që nis në orën 11:00, teksa në po të njëjtën ditë Shqipëria do të përballet me Kosovën në orën 15:00.
Takimet e dyta të turneut do të zhvillohen më 2 tetor. Ndeshja Kosovë – Maqedoni e Veriut është planifikuar të luhet në orën 11:00 dhe Shqipëri – Estoni në orën 15:00.
Sfidat e treta dhe të fundit në grup do të luhen më 5 tetor. Estoni – Kosovë do të zhvillohet në orën 11:00, ndërsa Shqipëria do të përballet me Maqedoninë e Veriut në orën 15:00. Të gjitha ndeshjet do të luhen në “Shtëpinë e Futbollit”.