Fredy Guarín, një ish-futbollist kolumbian 38-vjeçar, tha në një intervistë për “Gazzetta dello Sport” se “alkooli më shkatërroi jetën, por e kapërceva dhe rilinda”. Ish-lojtari i Boca Juniors, Saint-Étienne, Porto dhe Inter, mes skuadrave të tjera, foli me Francesco Pietrella nga Miami për varësinë që sapo e ka kapërcyer.
“Punoj çdo ditë për t’i larguar ato fantazma, por jam kthyer si më parë. Pasi ndalova së luajturi në vitin 2021, fillova një rrugë të vështirë.
Mora rrugë të gabuara dhe konsumova shumë alkool. Nuk kisha vetëkontroll për një kohë të gjatë, e kam lodhur veten. Kur e kuptova se po humbisja gjithçka, thashë ‘mjaft’. Varësia i përket së shkuarës, por është ende e fshehur në ndonjë cep të qenies sime.
Alkoolizmi do të jetë gjithmonë një rival i vështirë për t’u negociuar, le ta themi kështu. Një nga ato kundërshtarë që gjithmonë do të përpiqet të më vërë në vështirësi, por jam duke punuar për veten time, për jetën time të re dhe për shëndetin tim. Po bëj gjithçka për fëmijët e mi dhe për ata që më rrethojnë”, – ka shpjeguar ish-idhulli i tifozëve zikaltër.
Në maj 2024, Guarín, i cili ishte në orbitën e Real Madridit më 2011, foli në “Semana” për varësinë e tij ndaj alkoolit: “Për 20 vite, misioni imi ishte që t’i përkushtohesha futbollit, sepse këtë gjë dija të bëja. Nuk u përgatita për asgjë tjetër. Mbeta i pafuqishëm dhe mora vendime që nuk ishin të mira. E vërteta është se hyra në rrugë të gabuara, vendimi im ishte të kapesha pas alkoolit”.
Pyetjes “a je alkoolik”, Fredy Guarín iu përgjigj qartësisht: “100 për qind. Unë jam një alkoolist, e njoh këtë problem. Jam një i varur nga alkooli, që po shërohet. Sidoqoftë, të mësuarit është një motivim i madh”.
Fredy Guarín sheh dritën në fund të tunelit të varësisë së tij ndaj alkoolit: “Kishte ardhur një moment ku nuk mund të vazhdoja më me atë mënyrë jetese.
M’u desh të kërkoja ndihmë, sepse u përpoqa disa herë, por kisha rikthim të varësisë. M’u desh t’iu dorëzohesha disa profesionistëve me të cilët po punoj për të rifituar besimin e vetes, të fëmijëve dhe të familjes sime. Unë nuk mund ta lija veten në atë proces shkatërrues”.