Zv.presidenti i Interit, Javier Zanetti, i ftuar në eventin e “Rivista Undici” për të festuar 10-vjetorin e publikimeve të tij, foli kështu për derbin e Milanos, të cilin zikaltrit e humbën 2-1: “Derbi ka qenë gjithmonë një ndeshje shumë e përzemërt dhe e veçantë, për ne dhe tifozët.
Gjithmonë ka pasur respekt të madh mes dy klubeve të Milanos. E mbaj mend mirë derbin tim të parë më 1995, isha shumë i ri, sapo kisha ardhur. E gjeta veten përballë Tasotit, Baresit, Costacurtas dhe Maldinit.
Për mua ishte kënaqësi e madhe të dilja në fushë dhe përballesha me këta kampionë të mëdhenj, që kishin bërë historinë e klubit të tyre. Ka pasur gjithmonë rivalitet të madh mes Interit dhe Milanit, por edhe respekt maksimal të ndërsjellë”.
Për transferimin e tij tek Interi: “Po hidhja hapat e parë në futboll, kur mora lajmin se më kishte blerë Interi. Nuk mund ta besoja, isha në një ndeshje miqësore me kombëtaren argjentinase. Ndodheshim në Afrikën e Jugut dhe Daniel Passarella, trajneri ynë në atë kohë, më tha se kishte mbërritur një faks.
Në të bëhej me dije se më kishte blerë Interi dhe se sapo të kthehesha në Argjentinë, do të më duhej të bëja gati valixhet e të largohesha menjëherë drejt Milanos. Telefonova Paula, e cila ishte e dashura ime, edhe familjen. Iu thashë të ndiznin televizorin menjëherë dhe të shihnin nëse lajmi ishte i vërtetë”.
Për rëndësinë e presidentit Moratti: “Kur mbërrita në Milano, klubi zikaltër u bë si familje për mua. Takova menjëherë familjen ‘Moratti’ dhe kuptova se çfarë do të thoshte Interi dhe historia e tij. U ndjeva rehat që në fillim, vlerat që ka Interi më bënë të rritesha si njeri dhe futbollist. Interi ma ka dhënë këtë mundësi dhe për këtë arsye do të kemi gjithmonë lidhje që shkojnë përtej anës sportive, të emocioneve dhe vlerave të rëndësishme.