Kukësi është një skuadër e formatuar pak a shumë tërësisht nga e para dhe shumë lojtarë mund të thuhet se janë ende në “sitë”, për të parë edhe përshtatjen e tyre me skuadrën. Mirëpo në këto pesë javë të para ka nisur të krijohet ideja edhe e futbollistëve bazë, pa të cilët tekniku Emiljano Çela dhe skuadra nuk bën dot.
Më konkretisht, deri tani janë tre futbollistë që kanë pasur minutat e tyre të plota, më saktësisht 450 të tilla. Bëhet fjalë për portierin Amarildo Dervishaj, mbrojtësin Xhuljan Kapllanaj dhe sulmuesin Mario Beshiraj, të cilët janë edhe kampionët e minutave në këtë ekip.
Kjo listë më pas zgjerohet sa u përket lojtarëve që janë aktivizuar titullarë në të gjitha përballjet e deritanishme. Ky numër shkon në gjashtë, me Françesko Hasajn, Ouen dhe Basit, të cilët kanë marrë gjithnjë vlerësimin e stafit për të qenë pjesë e ekipit titullar.
Praktikisht, për gjysmën e skuadrës Emiljano Çela është i qartë para një ndeshje dhe vetëm për gjysmën tjetër ka dilema, se me cilët do ta nisë takimit. Lamellari, Birçaj dhe Sulçe janë ata që në katër takime e kanë nisur nga fillimi, për të vijuar më pas edhe me lojtarët e tjerë pas tyre. E rëndësishme është që me kalimin e javëve po konsolidohet edhe formacioni ideal me të cilët Kukësi do të përballojë sezonin.