Juventusi dhe Danilo nuk kanë qenë kurrë kaq larg njëri-tjetrit. Ish-kapiteni bardhezi, me ardhjen e Thiago Motta në stol, i ka humbur të gjitha siguritë që kishte arritur deri sezonin e kaluar: shiritin në krah dhe titullarin e padiskutueshëm. Shifrat e sezonit aktual janë vite-dritë larg atyre me Allegrin në drejtim.
Nga 6 ndeshje zyrtare, braziliani luajti 5 minuta në Serie A dhe 33 minuta në Champions League. Prandaj, mbrojtësi, sipas “Corriere della Sera”, po mendon të largohet nga bardhezinjtë që në merkaton e dimrit.
Kontrata që e lidh Danilon me Juventusin skadon më 30 qershor 2025 dhe do të rinovohej automatikisht nëse arrin 50% të paraqitjeve.
Një hipotezë e cila, për momentin, me shifrat në dorë, duket joreale. Siç raporton gazeta italiane, braziliani nuk është aspak i kënaqur me mungesën e kohës së aktivizimit dhe për këtë arsye po mendon të ndahet me bardhezinjtë.
Si lider i padiskutueshëm, Danilo këtë sezon e ka parë veten rezervë të Bremer, Cambiaso, Gatti dhe Kalulu. I ardhur nga Manchester City në vitin 2019, ai bëri 199 paraqitje për Juventusin, duke shënuar 9 gola dhe dhënë 13 asiste.
Tashmë aventura e tij duket se ka arritur në kreditet e fundit, me dijeninë se në moshën 33-vjeçare mund ta thotë ende fjalën e tij në futboll. Doni një provë për këtë? Me kombëtaren braziliane është ende titullar dhe kapiten.