Trajneri i Barcelonës ndërpret dy herë konferencën

Futboll

Trajneri i Barcelonës ndërpret dy herë konferencën

Më: 25 shtator 2024 Në ora: 16:42
Hansi Flick

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Getafes.

Katalanasit e kanë nisur me 6 fitore radhazi sezonin në La Liga dhe kundër Getafes do të kërkojnë të shtatin sukses.

Megjithatë konferenca e trajnerit të Barçës ka qenë shumë e kushtëzuar dhe nga dëmtimi i kapitenit Ter Shtegen, që ka çelur një debat të gjerë në Barcelonë në lidhje me portën.

Por Flik, të cilit i është dashur të ndërpresë dy herë konferencën për shkak të kollës ka qenë i qartë, duke shprehur besimin e plotë te Injaki Penja.

GETAFE – “Duhet t’i bëjmë detyrat ndryshe, pasi çdo kundërshtar ka specifikën e vet”.

DËMTIMI I TER SHTEGEN – “Injaki është plotësisht i përgatitur, e kam parë në formë mjaft të mirë në stërvitje. Ka punuar shumë fort për të qenë këtu. Ne kemi besim të plotë tek Injaki, por gjithnjë duhet të bëjmë kujdes. Për momentin nuk kemi asnjë urgjencë në portë, nuk ndiejmë presion dhe besojmë plotësisht te Injaki Penja”.

PIKËPYETJA PËR PORTIERIN E RI – “Ne duhet të shohim brenda shtëpisë, për opsionet që kemi. Nëse duhet të zgjedhim dikë tjetër nga jashtë do të shohim, por për momentin nuk kemi urgjencë. Do të flas me De la Fuenten (trajneri i portierëve të Barcelonës) që ka shumë eksperiencë me portierët”.

LEVANDOVSKI – “Unë nuk habitem dhe askush nuk duhet të habitet me rendimentin e tij. Ka shënuar gjashtë gola dhe ne e dimë se mund të bëjë edhe më mirë. Objektivi ynë është të fitojmë, por edhe të kënaqim tifozët tanë. Kthehemi pas 25 ditësh të luajmë në fushën tonë dhe kemi dëshirë të japim një shfaqje”.

FORMA DHE LOJA – “Gëzojmë një formë të mirë dhe duam të vazhdojmë me këtë ritëm. Kemi analizuar ndeshjen kundër Vijarrealit, ku kemi gjetur të dhëna pozitive, por kemi evidentuar dhe problematika që duhen përmirësuar. Gjithnjë ka nevojë për diçka më shumë. Por ne ecim hap pas hapi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat