Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka dalë me vendimin përfundimtar për ngjarjet e dhnës në ndeshjen Laçi – Partizani, një javë më parë. Disa persona nga tribuna kryesore hodhën sende në fushën e lojës duke goditur një nga zyrtarët e Partizanit.
Pas shqyrtimeve të kamerave të sigurisë me ndihmën e Policisë së Lezhës, është bërë e mundur zbulimi i autorëve dhe përjashtimi i tyre nga hyrja në çdo stadium ku FSHF është organizatore me një periudhë të pacaktuar.
Pirro Fufi, Klejdi Lamllari, Raid Kavaja dhe Mato Gjoka janë 4 autorët e ngjarjeve të dhunshme në tribunën e stadiumit të Laçi. FSHF i bën thirrje të gjithë anëtarëve të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi.
-VENDIMI-
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, korrespondencën me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen e Abissnet Superiore KF Laçi – FK Partizani të zhvilluar më datë 16.09.2024 ora 16:00 në stadiumin “Laçi” dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen e Abissnet Superiore FK Partizani – KF Tirana të zhvilluar më datë 21.09.2024 ora 20:00 në stadiumin “Air Albania”, ku janë konstatuar shkelje të parashikimeve ligjore të nenit 48 e vijues të Ligjit 79/2017 “Për Sportin” si dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi duke u bazuar në nenin 59 e vijues të KDE
VENDOSI:
Të ndalojë hyrjen në stadiumet e futbollit të Republikës së Shqipërisë ku zhvillohen veprimtari të organizuara nga FSHF për një periudhë të pakufizuar kohe personave të më poshtëm:
Pirro Gjok Fufi
Klejdi Alket Lamllari
Raid Lantan Kavaja
Mateo Thoma Gjoka
Në bazë të Nenit 7 të KDE, udhëzohen të gjithë anëtarët e FSHF të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi.
Një kopje e këtij vendimi t’i përcillet Policisë së Shtetit.