Gazetari dhe komentatori i njohur i Kosovës, Azem Brovina, ka promovuar librin e tij të tretë për futbollin e Kosovës, të titulluar “Liga e Kosovës 1945- 1990”.
Ceremonia e promovimit u mbajt sot në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ky libër, i cili është botuar nga shtëpia botuese “Orfeu”, u mbështet edhe nga FFK dhe përmban të gjitha rezultatet dhe tabelat e rëndësishme për historikun e futbollit të Kosovës në këtë periudhë.
Në këtë promovim morën pjesë emra të njohur të futbollit kosovar, drejtues të FFK-së dhe gazetarë.
Gjatë fjalimit të tij, autori Brovina theksoi rëndësinë e dokumentimit të saktë të historisë së futbollit kosovar, duke shtuar se ky libër është një kontribut i vlefshëm për të kuptuar më mirë sukseset dhe zhvillimet e këtij sporti në Kosovë.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi vlerësoi lart punën dhe trashëgiminë e Azem Brovinës, duke e cilësuar si një inspirim për brezat e rinj. Ademi theksoi se Brovina, me zërin e tij emblematik, ka qenë një figurë kyçe e transmetimeve sportive dhe se libri i tij i fundit përfaqëson një burim të rëndësishëm të të dhënave historike për futbollin kosovar.
Kjo vepër është e treta në radhë për Azem Brovinën, pas dy librave të tij të mëparshëm për futbollin e Kosovës; “1282 transmetime dhe komentime në RTP & RTK: fakte, shpjegime, kujtime”, si dhe monografinë “Futbolli i Kosovës 1919-2019”.
Në librin “Liga e Kosovës 1945-1990”, autori përshkruan fillimet e organizimit të futbollit në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse thuhet se ndeshja e parë u zhvillua ne vitin 1916, duket se më të afërta janë pohimet se futbolli ka filluar të luhet në Kosovë rreth vitit 1920. Më vonë formohen shoqata sportive dhe ekipe të cilat përfaqësojnë qytete të ndryshme.
Një prej personazheve të këtij libri është Faik Dushi, I cili solli topin e parë të futbollit në qytetin e Gjakovës në vitin 1924, pasi ishte kthyer nga Zagrebi ku kishte shkuar si I ri për të punuar.
Azem Brovina ka lindur më 16 nëntor 1946 në Gjakovë. Ka përfunduar studimet në Degën e Gjeografisë në Fakultetin Filozofik në vitin 1970. Ka punuar si gazetar sportiv dhe komentator në Radio Prishtinë që nga gushti i vitit 1970, e më pas në Radio Kosova deri në vitin 2013. Ka transmetuar dhe komentuar gjithësej 1282 ndeshje, prej të cilave 1120 nga vendi I ngjarjes që është deri tash rekord i transmetimeve e komentimeve nga vendi i ngjarjes nga një komentator në Kosovë),kurse 162 nga studio e RTP dhe RTK-së.