Para një ndeshjeje të vështirë si ajo me Partizanin, që luhet ditën e premte për llogari të javës së 7-të të kampionatit, kampionët në fuqi kanë disa probleme me prapavijën. Dy titullarë, Arbenit Xhemajli dhe Abdurrahman Fangaj, janë në dyshim për këtë sfidë, pasi kanë pësuar dëmtime.
Pak më serioz është shqetësimi për Xhemajlin, i cili doli i dëmtuar në pjesën e dytë të ndeshjes së fundit me Elbasanin. Ai duhet të kryejë një rezonancë për të parë shkallën e dëmtimin, por sipas të gjitha gjasave e ka humbur Partizanin.
Për Fangajn ka optimizëm se do të jetë në fushë ditën e premte ndaj të kuqve. Lajmi i mirë për trajnerin Edlir Tetova është se kapiteni Renato Malota, i cili e nisi nga stoli ndeshjen në Elbasan po për shkak dëmtimi, është plotësisht gati. Lezhjani do të jetë në fushë, ashtu si Alijev.
Nëse trajneri Tetova do t’i qëndrojë skemës me 3 mbrojtës, atëherë treshja mund të plotësohet sërish me Aleksin, i cili do të lërë mesfushë për t’u tërhequr pak metra më prapa. Dylis ka munguar në ndeshjet e fundit, dje ai është bashkuar me grupin, por duket e vështirë të luajë nga minuta e parë kundër Partizanit, sepse koha është shumë e shkurtër.
Egnatia ka në fakt një organikë të pasur, por nëse nuk luajnë njëkohësisht tre lojtarë me peshë dhe në një ndeshje delikate, atëherë bëhet pak problem, sepse edhe zgjedhjet limitohen. Fangaj pritet të sakrifikojë, por nëse nuk ia del, gati është Rama.
Tërheqja e mundshme e Aleksit në qendër të mbrojtjes do të lironte një vend në mesfushë, ku mund të aktivizohen Zejnullai, Ahmetaj dhe Ujka, apo Lushkja. Pjesa tjetër e skuadrës është gati dhe ndoshta po vjen momenti për të parë edhe sulmuesin Bakajoko në fushë, pasi afrikani e ka lënë pas dëmtimin.