Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot zhvilloi takim me pronarin e kompanisë “Ecolog”, Lazim Destani, ku diskutuan rreth projektit të stadiumit të ri të qytetit të Tetovës.
Siç njoftojnë nga kabineti i Kasamit, ky projekt përfaqëson një nga iniciativat më të rëndësishme për qytetin dhe është më shumë se një rikonstruim fizik.
“Stadiumi i Tetovës ka qenë për dekada një hapësirë ku qytetarët tanë kanë përjetuar emocione, suksese dhe krenari.
Me këtë projekt synojmë të krijojmë një ambient modern, që jo vetëm do të përmirësojë kushtet për zhvillimin e sportit, por edhe do të përfaqësojë energjinë dhe pasionin e qytetit tonë. Ky ndërtim është një investim për të ardhmen e rinisë së Tetovës dhe një hap drejt standardeve më të larta për mirëqenien dhe zhvillimin social të qytetit”.
“Projekti i stadiumit të ri përfaqëson gjithashtu një shembull të qartë të bashkëpunimit të frytshëm midis sektorit publik dhe atij privat, ku falë angazhimit të përbashkët, po i japim jetë një projekti të rëndësishëm që do të shërbejë si simbol i bashkimit dhe progresit të komunitetit tonë”.
“Komuna e Tetovës, në bashkëpunim me kompaninë 'Ecolog', do të vazhdojë të punojë pa ndërprerje për realizimin e këtij projekti, me synim që Tetova të ketë një stadium të denjë për ambiciet dhe potencialin e saj. Kjo iniciativë është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për qytetin tonë dhe për të gjithë qytetarët e Tetovës”.