Martinez në krizë totale

Futboll

Martinez në krizë totale

Më: 25 shtator 2024 Në ora: 21:20
Lautaro Martinez

Lautaro Martinez është zyrtarisht në krizë. Sulmuesi i Interit ende nuk ka shënuar asnjë gol në 5 javët e para të sezonit të ri, por situata bëhet më e rëndë, pasi ai e trashëgonte këtë moment negativ edhe nga viti i kaluar.

Nëse për sezonin që lamë pas, sulmuesi e “hoqi spinën” edhe për faktin që skuadra fitoi titullin kampion dhe më pas ndeshjet nuk kishin kaq shumë rëndësi, tani duket se nuk po ia del dot. Erdhi shumë vonë në krahasim me të tjerët për shkak të Kupës së Amerikës dhe i duhet pak kohë për të gjetur formën. Por mungesa e formës së tij rëndon shumë për faktin që skuadra nuk po merr dot rezultatet pozitive në kampionatin italian.

Për të gjetur një tjetër nisje kaq të dobët të sezonit për kapitenin e Interit duhet që të rikthehemi në kohë. Bëhet fjalë për shtatorin e vitit 2018, por për të ishte viti i parë me fanellën zikaltër dhe mund të “falej”.

Në atë kohë “Il Toro” kishte luajtur vetëm 69 minuta në ndeshjen e parë me Sasuolon dhe vetëm një minutë ndaj Torinos kur u fut si zëvendësues. Mirëpo nëse ka një lajm të mirë për skuadrën e Interit është fakti që Lautaro u zhbllokua më 29 shtator në ndeshjen kundër Kaljarit. Interi do të luajë në datën 28 kundër Udinezes dhe Lautaro do të provojë që të zhbllokohet aty.

Mbetet për t’u parë nëse trajnjeri Inzagi do ta zbresë si titullar në sfidën ndaj bardhezinjve, që është delikate dhe shumë e rëndësishme. Interi është i dënuar për të fituar sepse në të kundërt situata do të rëndohet dhe nuk do të falen më hapat fals për trajnerin Inzagi. Por Lautaro nuk është i vetmi që po vuan në këtë fillim sezoni.

Edhe Çalhanoglu gjithashtu nuk është aty ku duhet, ndërsa në mbrojtje De Vraj nuk garanton dhe trajneri detyrohet që të luajë me Açerbin në çdo ndeshje të rëndësishme. Pavar gjithashtu ka vështirësi për të rigjetur veten, ndërsa Turam pas një fillimi spektakolar të sezonit duket se është “fikur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat