Shqipëria U-15 fitoi ndeshjen e dytë miqësore ndaj Malit të Zi U-15 me rezultatin 3-2.
Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në stadiumin “Reshit Rusi” dhe golat i shënuan Haxhi Rrena dhe Fabio Hyseni (x2).
Trajneri Armand Dama e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Malit të Zi: Marsid Hoxha (GK), Joart Mile, Eno Resuli, Rian Neza, Angelos Çomo, Fabio Hyseni, Sean Sulaj, Tom Keqi, Leonel Meço, Rajan Dybeli dhe Haxhi Rrena (C).
Ndeshja nisi shumë mirë për Shqipërinë që gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 6-të. Kapiteni Haxhi Rrena shënoi gol dhe i dha avantazhin kuqezinjve. Edhe minutat në vazhdim folën vetëm për Kombëtaren shqiptare që shënoi golin e dytë në të 23-ën me Fabio Hysenin.
Në fundin e pjesës së parë Shqipëria trefishoi rezultatin, sërish ishte Fabio Hysenin që gjeti rrugën e rrjetës. Pjesa e parë u mbyll 3-0 për kuqezinjtë.
Sapo nisi fraksioni i dytë Mali i Zi ngushtoi diferencën me Luka Vusurovic. Trajneri Armand Dama në pjesën e dytë i dha mundësinë të gjithë lojtarëve të grumbulluar të tregojnë cilësitë e tyre.
Deri në fundin e ndeshjes Mali i Zi shënoi edhe një gol dhe në fund sfida u mbyll me fitoren e Shqipërisë 3-2.
Këto dy teste miqësore ishin një mundësi shumë e mirë për trajnerin Armand Dama dhe stafin teknik të Kombëtares U-15 për të testuar e vëzhguar nga afër lojtarët e grumbulluar. Ndeshja e parë në Podgoricë u mbyll në barazim 2-2, ndërsa në “Reshit Rusi” fituan kuqezinjtë 3-2.