Dy muaj më parë janë shitur biletat për sfidën e së shtunës

Futboll

Dy muaj më parë janë shitur biletat për sfidën e së shtunës

Më: 26 shtator 2024 Në ora: 21:24
Pamje nga një ndeshje

Të shtunën e gjithë vëmendja e mbarë opinionit sportiv do të jetë e mbërthyer në “Allianz Arena”, teksa përballen dy skuadrat rivale të dy sezoneve të fundit për titullin kampion, Bajern i Munihut dhe Bajer Leverkuzenit.

Nënkampionët e Bajern kundrejt kampionëve aktualë, “Aspirinat” e Çabi Alonsos, në një 90 minutësh që pritet të jetë spektakolar.

Pas 4 javëve të para të dyja skuadrat ndahen me vetëm 3 pikë, me ekipin e Vinsent Kompanit që është treguar perfekt në këtë start kampionati, teksa i ka fituar të 4 sfidat, ndërkohë që Leverkuzeni numëron 3 fitore dhe 1 humbje atë ndaj Lajpcigut.

Bajern kërkon menjëherë të rikthejë titullin në Bavari, pasi sezonin e fundit ishte Leverkuzen që dominoi duke fituar titullin e parë në histori. Skuadra e Bajernit të Munihut do të kërkojë edhe revanshin e sezonit të fundit edhe sa i takon sfidave direkte, ku në Munih në fazën e parë ndeshja përfundoi në barazim 2-2, ndërsa në ndeshjen e kthimit “Aspirinat” triumfon thellë 3-0, një sfidë që përcaktoi në një farë mënyre edhe sezonin, me “kuqezinjtë” që u kurorëzuan në fund si kampionë.

Gjermanja “Kicker”, ka publikuar edhe një informacion shumë interesant lidhur me interesimin për këtë ndeshje. Sipas saj biletat për sfidën që do të zhvillohet të shtunën në “Allianz Arena” janë shitur të gjitha, më 25 korrik,  rreth 2 muaj më parë. Ndërkohë që interesimin ka qenë aq shumë i lartë, teksa numërohen rreth 350.000 kërkesa për të siguruar një biletë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat