Vllaznia do të luajë këtë të shtunë në transfertë përballë Dinamos, sfidën e vlefshme për javën e 7-të të “Abissnet Superiore”.
Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, do të startojë në orën 19:00.
Në prag të kësaj ndeshje ka folur dhe trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric. Ky i fundit thotë se do të luajnë kundër një ekipi që është ndër më të mirët e kampionatin, por thekson se rëndësi ka që të fitojnë pavarësisht futbollit që do të luajnë.
“Ishte një javë e shkurtër për ne dhe nuk kishim shumë kohë për të menduar nëse jemi të parët në renditje apo jo. Fokusi ynë është i përqendruar tek puna dhe ndeshja e radhës dhe të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive. Sfida jonë është të ruajmë këtë performancë sepse çdo ndeshje do të jetë e rëndësishme për ne.
Jam i fokusuar tek takimi i nesërm me Dinamon, një kundërshtar i fortë, një nga ekipet më të mira të kampionatit, ka lojtarë me cilësi shumë të mira individuale dhe një trajner me shumë përvojë. Por ne do të bëjmë çdo gjë që të jetë e mundur për të treguar se jemi ekipi më i mirë.
Do të ketë shumë sfida brenda ndeshjes së nesërme dhe jo vetëm një sfidë trajnerësh, por nuk e mbaj shumë mendjen tek këto detaje. Për mua si trajner nuk është shumë e rëndësishme që skuadra të bëjë një futboll të bukur, por të marrë pikë. Nëse ekipi luan edhe bukur, atëherë fitoret të shijojnë dhe më shumë”, tha Brdariç..