Xhiro e 7-të e edicionit 2024-25 e Albi Mall Superligës do të vijojë sot me dy ndeshje interesante.
Llapi dhe Suhareka hapën këtë xhiro ditën e djeshme, me skuadrën podujevase që triumfoi bindshëm 3-0 ndaj therandasve, duke ia shkaktuar kështu humbjen e parë atyre në kampionat.
E sot Superliga do të vijojë me dy ndeshje të tjera në program.
Dueli më interesant i ditës është padyshim ai mes Dukagjinit dhe Dritës.
Drita vjen pas një fitore të madhe në derbin ndaj Ballkanit fundjavën e kaluar, teksa ka tre fitore dhe një humbje në katër xhiro të luajtura, e pozicionuar aktualisht në vendin e 6-të me 9 pikë.
Dukagjini ndërkohë u mposht thellë nga Prishtina me rezultat 3-0 fundjavën që shkoi, duke çuar në total në 4 numrin e humbjeve këtë sezon, krahas dy fitoreve të tjera pas gjashtë xhirove të luajtura. Skuadra nga Klina pozicionohet aktualisht në pozitën e 7-të me 6 pikë, shkruan Sinjali Sporti.
Dueli tjetër do të zhvillohet në Suharekë, ku kampioni i Kosovës, Ballkani e pret në shtëpi skuadrën e Ferizajt.
Ballkani vjen pas një humbje në derbin ndaj Dritës 1-0, duke e regjistruar kështu humbjen e dytë në kampionat. ‘Portokallinjtë’ kanë tre fitore, dy humbje e një barazim në gjashtë ndeshje të luajtura deri tani, të pozicionuar në vendin e 4-të.
Ferizaj ndërkohë është në një seri prej katër humbjeve rresht, pasi e nisi fillimisht kampionatin me fitore dhe një barazim në dy xhirot e para. Ferizajasit ndodhen në pozitën e parafundit në tabelë, me katër pikë të mbledhura pas 6 xhirove të luajtura.