Mikel Arteta i ka komentuar kritikat që skuadra e tij ka marrë gjatë kësaj jave për paraqitjen me Mançester Sitin, si një vlerësim për pritshmëritë që janë krijuar rreth Arsenalit të tij.
“Topçinjtë” u shënjestruan për taktikat e tyre në ndeshjen me kampionët e Anglisë të dielën e shkuar, ndërsa u akuzuan për vonesa loje kur ata regjistruan një barazim 2-2 në “Etihad”.
Pjesën e dytë, ata e luajtën me 10 vetë për shkak të kartonit të kuq të Trosardit në shtesën e pjesës së parë. Dhe në shumë momente, lojtarët e tyre u panë të shtriheshin në përpjekje për të fituar sa më shumë kohë. Megjithatë, “Qytetarët” arritën që ta shmangnin humbjen në minutën e 98-të me golin e Xhon Stonsit.
Përpara ndeshjes me Lestërin, rivali më i madh i Sitit në dy sezonet e fundit, tha se kritikat tregojnë se sa janë rritur pritshmëritë ndaj tyre. “Kam dëgjuar shumë gjëra pozitive. Kur dëgjojmë kritika negative për pozicionin ku jemi dhe se çfarë kemi kaluar në tri ndeshjet e fundit, kjo tregon pritshmëritë. Duhet të rrisim nivelet. Unë dua një rezultat kundër Lestërit, sepse dua të luaj mirë, të fitoj dhe të marr tri pikë. Dhe këtë e duam për ta bërë njerëzit tanë krenarë, jo për të heshtur askënd”.
Një mungesë për “Topçinjtë” sot mund të jetë portieri David Raja dhe tekniku spanjoll është i pasigurt për gjendjen fizike të spanjollit: “Duhet të presim edhe 24 orë të tjera për të parë nëse ai duket mirë apo jo aq mirë. Nuk ka të bëjë me rrezikun, por ka të bëjë nëse lojtari do të jetë në gjendje për të luajtur apo jo.
Kur të kemi këtë qartësinë përpara ndeshjes me Lestërin, ne do ta marrim atë vendim të shtunën”. Ai vlerësoi edhe paraqitjen e Kalafjorit kundër Sitit: “Mendoj se ishte i shkëlqyer kundër Sitit në ndeshjen e tij të parë si titullar. Ai është ambientuar shumë mirë me grupin. Ka kurajë dhe personalitet për të luajtur”.